Takimi ndërqeveritar mes Maqedonisë e Kosovës i pasigurt

Lajme

Takimi ndërqeveritar mes Maqedonisë e Kosovës i pasigurt

Më: 26 maj 2015 Në ora: 10:39

Rasti i Kumanovës, ku u vranë 9 shtetas të Kosovës dhe më shumë se 20 u arrestuan, mund të tensionojnë raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës, raporton Zhurnal.
Nëse kësaj i shtohen dyshimet se disa nga të vrarët janë ekzekutuar pas dorëzimit si dhe pas informacioneve për keqtrajtimin çnjerëzor të të paraburgosurve në burgun e Shutkës në Shkup, atëherë relacionet mes Prishtinës dhe Shkupit mund të përkeqësohen më tepër se sa është menduar.
Kjo situatë e re e krijuar mes dy vendeve fqinje ka bërë që jozyrtarisht të dështojë mbledhja e përbashkët e paralajmëruar për në maj të këtij viti.
Kryeministri kosovar Isa Mustafa më shumë se dy javë ende publikisht nuk tregoi nëse ka biseduar së paku një herë përmes telefonit me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski.
Jo vetëm Mustafa por edhe ministrat tjerë si Skënder Hyseni dhe Hashim ThaçI nuk treguan qartë nëse kanë biseduar drejtpërdrejtë me homologët e tyre maqedonas. Vetë fakti se autopsia e 9 kosovarëve të vrarë u zgjat më shumës e 10 ditë dëshmon se raportet mes dy shteteve janë të elektrizuara tej mase, madje thuhet se ka mosdurim të tepërt, njofton Zhurnal.
Ish ambasadori Alajdin Demiri vlerëson se raportet Maqedoni - Kosovë mund të tendosen në pikë kritike, nëse rasti i Kumanovës nuk zbardhet tërësisht. Kjo, sipas tij, mund të arrihet vetëm me inkuadrimin e faktorit ndërkombëtar.
“Raportet Maqedoni-Kosovë që nga fillimi ishin të brishta, madje të tendosura me atë që njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Maqedonisë u kuptua si një akt i presionit nga ana e faktorit ndërkombëtar, dhe jo si vullnet për të krijuar raporte të mira ndërfqinjësore”, thotë analisti politik, Alajdin Demiri, raporton Zhurnal.
Ai shton se ngjarjet në Kumanovë, duke ngërthyer më vete enigma të shumta, në masë plotësuese do të rëndojnë raportet Maqedoni-Kosovë.
“Tendosja e mëtejme e raporteve Maqedoni Kosovë do të jetë strategjike, sepse e vërteta e Kosovës do të jetë diçka tjetër - nga ana tjetër, e vërteta e Maqedonisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, dhe e vërteta e Serbisë dhe Rusisë do të jetë krejtësisht diçka tjetër, ngase Rusia është pozicionuar në mbrojtje të kryeministrit Nikolla Gruevski”, thekson ish diplomati Alajdin Demiri.
Ndryshe, kur jemi te aspekti ekonomik Maqedonia është tepër e varur nga Kosova për shkak se firmat nga vendi brenda një viti eksportojnë mallra në Kosovë në vlerë prej rreth 700 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat