Komuna dhe "Agroprodukti" mbështesin kultivimin e bimëve mjekësore

Lajme

Komuna dhe "Agroprodukti" mbështesin kultivimin e bimëve mjekësore

Më: 25 maj 2015 Në ora: 23:16

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Nasuf Aliu janë takuar me fermerët më të dalluar të Mitrovicës, të cilët i kanë njoftuar për projektin e përbashkët të komunës dhe kompanisë "Agroprodukt", që do shtrihet në Mitrovicë, fillimisht me kultivimin e tri bimëve mjekësore ndërsa më pas edhe llojeve të tjera.

Kryetari Bahtiri, tha se "Ne do ti mbështesim fermerët më të dalluar, duke ju ofruar mundësi kooperimi me kompaninë “Agroprodukt”, duke i mbështetur nga faza vlerësuese, trajnimi, vlerësimi i tokës, pastaj me fidanë të mentës, mellagës së bardhë dhe rigonit të bardhë, deri tek këshillimi dhe monitorimi i gjithë projektit. Përveç fidanëve, projekti parasheh edhe sigurimin e tri tharëseve të bimëve, që kanë një kosto rreth 60 mijë euro".
Ai inkurajoj fermerët posaçërisht shaljanët që të fillojnë me kultivimin e këtyre bimëve që do tu sjellin atyre përfitime. Ky projekt sipas tij, synon zhvillimin dhe hapjen e perspektivës në Shalën e Bajgorës, ku ka kushte mjaft optimale për kultivimin e shumë bimëve mjekësore që janë të kërkuara në tregjet evropiane.
Drejtori Aliu, tha se do të përpilohet lista e interesimeve për kultivim të këtyre bimëve, më pas do të organizohen vizita në fabrikën e “Agroprodukt”, trajnime, këshillime, mbështetje me fidanë sikurse edhe monitorim.
Ndërkaq, drejtuesi i kompanisë, Halit Avdiaj, pohoj se Komuna e Mitrovicës është e para që përmes një projekti po mbështet kultivimin e bimëve në këtë rajon, duke nis me 3 bimë mjekësore. “Eksporti i prodhimit në vendet evropiane është i siguruar. Aktualisht kemi mbi 1230 kooperontë në gjithë vendin, grumbullojmë 77 lloje të bimëve dhe vazhdimisht ka rritje të kërkesës për këto bimë, andaj ne duhet të zgjerohemi dhe ofrojmë mundësi për prodhimin e tyre", theksoj Avdiaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat