Mjekësia ligjore dhe prokuroria të tregojnë si u vranë nëntë luftëtarët e Kumanovës!

Lajme

Mjekësia ligjore dhe prokuroria të tregojnë si u vranë nëntë luftëtarët e Kumanovës!

Më: 25 maj 2015 Në ora: 10:05

Shumica e mediave online të dielën kanë raportuar duke u thirrur në burime të ndryshme, se autopsitë e trupave të nëntë shqiptarëve të vrarëve në Kumanovë dëshmuan se ata ishin ekzekutuar pas dorëzimit. Po ashtu autopsitë dëshmuan se shumica e trupave kishin dëmtime, nga më shumë plumba apo edhe nga goditjet me copa granatash.
Ndërkohë, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se përgënjeshtron këto lloj lajmesh si spekulime, nëpërmjet një statusi në fb e tij.
“DML - 6 patologët së bashku me njësitin e forenzikës së Policisë së Kosovës kanë kryer autopsitë e 9 të vrarëve në Kumanovë. Ne kemi kryer punën tonë bazuar në standardet operative profesionale ... dhe pas përpilimit të raporteve ne të njëjtat do t'ia dorëzojmë prokurorit të shtetit të R. së Kosovës....Kaq na lejon etika profesionale... vlerësimet tjera i japin organet përkatëse.
Asnjë koment tjetër nuk është lëshuar nga DML”, ka shkruar Gërxhaliu.
Por, në rrethanat në të cilat ndodhemi, dhe për hir të informimit të drejtë, dhe për shkak se këtu mbyllet puna e ekspertizës, këto dy institucione e kanë për detyrë që ta thonë të vërtetën, se cilat janë gjetjet profesionale. Opinioni nuk dëshiron t’ia dijë për procedurën, ajo është profesionale dhe etike, por dëshiron ta dijë të vërtetën e vrasjes së familjarëve të tyre. Pra, shqiptarët nuk duan ngushëllim, por të vërtetën e hidhur ose jo. Vetë fakti që ky institut dhe policia e Kosovës (forenzika) nuk japin informacione serioze e të besueshme, u jep vend spekulimeve, qoftë mediale apo në opinion. Shumë më e vogël do të jetë edhe trauma e familjarëve nëse ata do ta dinë se si u vranë të afërmit e tyre, gjatë luftimeve apo pas dorëzimit.
Shumë rrëfime, duke filluar nga njëri prej atyre që i shpëtoi apo u la i lirë nga policia sllavo-maqedonase, pastaj rrëfimi që e botuam ne nga të burgosurit në Maqedoni, rrëfime të tjera alternative, por përfshirë edhe të informacioneve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Kosovës, disa nga të vrarët u ekzekutuan pas arrestimit.
Pra, është detyrë publike dhe obligim etik e kombëtar, që të dhënat shkencore për vrasjen e nëntë shqiptarëve në Kumanovë të publikohen. I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat