Edhe Greqia po kërcënon me destabilizim të rajonit. Madje kërkesat më normale të Qeverisë së Shqipërisë, që të mos hulumtojë naftë, gas dhe karburante tjera në detin jon të Shqipërisë dhe në tokën shqiptare, i quan provokim të rëndë.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vite më parë ka hedhur poshtë marrëveshjen për kufijtë detar ndërmjet dy qeverive, të Shqipërisë dhe Greqisë. Në këtë pikë, qeveria Rama po përmbush detyrimet kushtetuese ndaj vendit, por ekspansionizmi grek, nuk mund ta pranojë këtë.
Duke e parë situatën e brishtë në Maqedoni, rritjen e apetiteve ekspansioniste serbe ndaj këtij shteti, dhe pakënaqësinë në rritje të shqiptarëve, Greqia dëshiron të përfitojë nga rasti dhe të provokojë Shqipërinë, në jugun e saj, ku hapur disa filogrek për pasaporta dhe pensione minore, janë radhitur në anën e Greqisë, kinse për të krijuar epirin verior, që në fakt edhe si emërtim i lashtë, edhe si vendbanim i përhershëm, andej e këndej kufirit, ka qenë i banuar në vazhdimësi me shqiptarë. Dallimi i vetëm është se shqiptarët që jetojnë andej kufirit, arvanitasit me dhunë e kanë humbur gjuhën, janë dërguar për më shumë se një shekull drejt asimilimit, gjuhësor, kulturor dhe etnik, por asimilimi në linjë gjaku, gjenetik nuk ka mundur të ndodhë, gjaku ka mbetur po ai.
Dihet historikisht, se deri në prag të Luftës së Parë Botërore, ishin mbi 600 fshatra shqiptare vetëm rreth Athinës. Ngjashëm ishte në gjithë Epirin verior, dhe madje edhe ujdhesa të Egjeut, ku shumicë absolute ishin shqiptarët. Por, edhe sipas dokumenteve të ofruara nëpërmjet një hulumtimi për nevoja të institucioneve evropiane, që fatmirësisht u udhëheq nga atdhetari shqiptar, arbëreshi Antonio Bellushi, por që konfirmohen edhe nga studiues të tjerë, se në Greqi jetojnë tre milionë arvanitas të shtrirë në 696 fshatra, mbi 80 % e të cilëve jetojnë që nga kohërat homerike atje. Ndërsa, kur kësaj ia shton edhe numrin prej rreth 800 mijë shqiptarësh që kanë shkuar të jetojnë pas tranzicionit të Shqipërisë, ky shtet tashmë është gati gjysmë përgjysmë me shqiptarë, dhe në vetvete është një Maqedoni e dytë, pikërisht për shkak të shtypjes, diskriminimit më të egër që mund të ndodh në Evropë ndaj një etnie tjetër, pavarësisht që arvanitasit janë shtetbërësit kryesor të Greqisë.
Por, nëpërmjet propagandës së fuqishme, dhe mbështetjes së gjatë të verbër europiane që e kishte Greqia, ia dilte që të përmbyste realitetin dhe që të paraqitej si viktimë e shqiptarëve, në kohën që ajo është autore e gjenocidit dhe etnocidit, të paktën ndaj çamëve.
Por, pavarësisht këtij realiteti Greqia po mundohet, që nga kriza në Maqedoni të krijojë turbullira në kufijtë me Shqipërinë dhe eventualisht ta hap si çështje, fatin e disa fshatrave të Shqipërisë së Jugut, që të mashtruar me para dhe të detyruar nga ligjet shtypëse të Greqisë janë regjistruar atje me emra grek dhe këtë duan ta imponojnë si realitet historik.
Kështu mediat greke për problemet e ngritura nga vetë shteti grek, parashikojnë humbjen e Shqipërisë në këto përplasje, “sa herë ka bërë diçka të ngjashme në të kaluarën (Shqipëria), vendi i tij (Edi Ramës) ka humbur gjithmonë".
Pra, Greqia madje parashkruan fatin e Shqipërisë, por harrojnë të bëjnë mirë llogaritë, se raportet shqiptare me perëndimin kanë ndryshuar dramatikisht me rastin e Kosovës, aleanca dhe miqësia e shqiptarëve, sidomos me Amerikën, përmbysë logjikën greke. I. M.