Përfundon riekzaminimi i të vrarëve në Kumanovë

Lajme

Përfundon riekzaminimi i të vrarëve në Kumanovë

Më: 24 maj 2015 Në ora: 10:18

(E plotësuar) Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se ka përfunduar autopsia e 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj.

Gërxhaliu tha se rezultatet do t’i dorëzohen Prokurorisë.

“Kemi kryer punën tonë profesionale. Kemi shënuar çdo gjë, dhekemi fotografuar, pra kemi kryer punën tonë në çdo milimetër ashtu siç parashihet me standardet operative mjekoligjore. Do t’i përpilojmë raportet tona të autopsisë për secilin dhe do t’ia dorëzojmë Prokurorit të Shtetit, sepse etika profesionale e do kështu. Nga etika profesionale nuk më lejohet të flasë më shumë. Prokurori i Shtetit do të njoftohet me hollësitë për çdo gjetje që e kemi pasur në secilin trup”, tha Gërxhaliu.

Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në Kumanovë, janë sjellë në Kosovë, të premten në mëngjes.

Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur.

Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.

Përfundon autopsia për 5 të vrarë në Kumanovë

Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nisi këtë të shtunë procesin e autopsisë për 9 të vrarët në Kumanovë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu konfirmoi për TCh se deri tani ka përfunduar autopsia për Beg Rizajn, Arben Rexhajn, Valon Kabashin, Xhafer Zymberajn dhe Samid Kastriotin.

Procesi për katër të tjerët do të vazhdojë të dielën pa pritur ardhjen e dokumenteve për autopsinë e parë nga Maqedonia.

Me kërkesë të familjes, siç konfirmohet nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i pari që iu nënshtrua autopsisë ishte Beg Rizaj.

Ndërkohë, organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një takim të përbashkët me familjarët të shtunën kanë vendosur që Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella, Arben Rexhaj të prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Prishtinë.

Njoftohet se u është kërkuar edhe familjarëve të Beg Rizajt e njëjta gjë, pasi është njoftuar se varrimi i tij do të bëhet të dielën në kompleksin memorial të Gllogjanit.

Trupat e pajetë të 9 shqiptarëve të vrarë më 9 maj në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat