A po përgatitet një komplot grushteti në Kosovë!?

Lajme

A po përgatitet një komplot grushteti në Kosovë!?

Më: 24 maj 2015 Në ora: 09:50

A është Kosova e kërcënuar vërtetë me një “Kumanovë”? Kjo është dilema që ngritet pas deklaratës së një prokurori të Prokurorisë speciale të Kosovës.
Por, përgjigja për opinionin mungon. Nëse situata është aq alarmante pse nuk është dëgjuar deri më tash asgjë për një qëllim të këtillë?! Si ka mundësi që të jemi kaq të kërcënuar dhe shteti të ndihet kaq rehat, dhe askush thuaja të mos e bisedojë këtë çështje.
Deklarata nuk vjen nga një analist apo si rezultat i një analize. Ajo vjen si një informacion ‘bombë’ për opinionin publik. Këtë informacion duhet ta trajtojnë me seriozitet të gjitha hallkat e institucioneve. Jo vetëm prokuroria e policia, por edhe Qeveria, Presidenca dhe komisionet përkatëse parlamentare.
"Unë po merrem me një rast më herët se që ka ndodhur në Kumanovë, me një rast shumë të rëndë që pritet me ndodh në Kosovë. Mirëpo, jemi në vazhdën e hetimeve dhe nxjerrjes së provave materiale lidhur me ato. Ne si shtet ligjor do ta pengojmë atë vepër penale, mirëpo jemi duke përcjell se kush është i përfshirë në atë rast edhe çka po duan konkretisht me bo", ka deklaruar prokurori Ali Rexha.
Ne nuk e dimë se në çfarë konteksti e ka thënë prokurori këtë apo se çfarë asociacionesh ka pasur ai parasysh kur ka thënë se po merret me një rast, që i bie një skenar të përgatitur, si të Kumanovës.
E para që të bie në mend sipas këtij deklarimi, është se cak mund të jenë institucionet e Kosovës. Dhe nëse janë cak institucionet kush janë skenaristët dhe kush janë individët, çfarë nacionaliteti kanë, janë serb apo jo?
Nëse shikohen rrethanat dhe kërcënimet serbe, i bie që cak mund të jenë institucionet në veri të vendit, dhe që atje të përpiqet të ketë një organizim radikal serb, që ne shpesh i jemi referuar se Serbia po kërkon tollovi, krizë e pasiguri në Kosovë dhe të kryej invazion në veri.
Skenari i dytë i bie që vendi të jetë i kërcënuar nga një lloj grushteti, pra që skenari flet për rrëzimin me forcë të qeverisë, gjë e cila është përfolur nga qeveria e kaluar. Madje një hipotezë ishte se edhe në protestën e parë të këtij viti, sipas qeveritarëve, dhuna e përdorur në protesta kishte synim grushtetin, marrjen me forcë të pushtetit. Edhe disa paralajmërime të opozitës kanë qenë se qeveria do të ballafaqohet me situata të fuqishme reagimi në pranverë.
Për realizimin e skenarit të parë ballafaqimi kryesor i bie që të bëhet ndërmjet KFOR-it dhe forcave ‘invadive’ serbe. A është i mundur ky?! Për këtë mund të përgjigjet prokurori Rexhaj, por duke ditur mungesën e qasjes edhe të prokurorëve shqiptarë në veri, edhe potencialin e vogël të prokurorisë speciale të Kosovës, ka pas gjasa që prokurori të ketë folur për një skenar të tillë. Kapja e të dyshimtëve të Rexhës do ta vërtetojë këtë ose jo.
Skenari i dytë rezulton të jetë më i mundshëm bazuar në kompetencat dhe juridiksionin e plotë të Prokurorisë speciale, gjë të cilën e ka të reduktuar në veri.
Por, nëse bëhet fjalë për rastin e dytë, çfarë i lidh këto dy raste që Rexhaj të alarmojë duke i parë si sinonimike apo të ngjashme. Në Kumanovë, shqiptarët u vranë, të paktën kështu besohet dhe ata kështu po nderohen edhe për momentin e varrimit, si heronj kombëtarë, pasi kanë synuar realizimin e një qëllimi për interesa të kombit shqiptarë, dhe para së gjithash të shqiptarëve atje.
Nëse kishte një rrjet të përbashkët, që kishte si synim rrëzimin e dy qeverive, mos janë humbur shumë gjurmë me vrasjet në Kumanovë!?
Pse tingëllon ngjashëm ky hetim i prokurorit, me retorikën e Hashim Thaçit, kur menjëherë pas aksionit tha se grupi që kishte marrë pjesë në Kumanovë ishin armiqtë më të mëdhenj të Ballkanit?!
Pse prokurori është kaq i sigurtë kur thotë se po merret: me një rast shumë të rëndë që pritet me ndodhë në Kosovë”!.
Si mund të pritet që të ndodhë rasti, nëse ka informacione kaq bindëse për mundësinë e zhvillimit të një ngjarje tragjike!? Kjo është non sens, e pa dëgjuar, po sikurse që ndodhi në Kumanovë, që rezultoi se qeveria Gruevski ka ditur për grupin, dhe për gjithçka tjetër, dhe nuk e parandaloi! Edhe institucione të Kosovës thanë se kanë ditur dhe lejuan të ndodhë!
Pse duhet lejuar që e njëjta gjë të përsëritet në Kosovë, qoftë si skenari 1, qoftë si skenari 2 (si më lart). I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat