Pse e vret mendjen Putin kush e drejton kombin e vogël të Ballkanit?

Lajme

Pse e vret mendjen Putin kush e drejton kombin e vogël të Ballkanit?

Më: 23 maj 2015 Në ora: 17:39

Liderët rusë, konflikti i të cilëve me Ukrainën i ka bërë ata të përleshen me shtetin më të madh të Europës LIndore, po i kthejnë tani sytë në një shtet të vogël të Ballkanit, me më pak rezidentë se Brooklyn, shkruan “Bloomberg business”.

Çështja është e përbashkët: gazsjellësat.

Maqedonia, një entitet prej 2 milion njerëz, i dalë nga rrënojat e Jugosllavisë, po lufton me korrupsionin e shfrenuar dhe tensionet e vazhdueshme etnike.

Qeveria nën presion e Kryeministrit Nikolla Gruevski, e përfshirë në një skandal përgjimi, mbështet planet për një tubacion të gazit rus për në Evropë që do të sigurojë të ardhura shumë të nevojshme, dhe do ta ndihmojë Kremlinin të anashkalojë një rrugë ekzistuese të furnizimit me fqinjin e saj problematik ukrainas.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi së fundmi Perëndimin se po përpiqet të nxisë rënien e qeverisë maqedonase.

“Unë nuk kam ndonjë fakt të rëndë, por është një dyshim logjik,” tha Vladimir Çizhov, ambasadori rus në BE, në një intervistë Bloomberg TV kur u pyet në lidhje me pretendimet.

“Nëse ju shikoni gjeografinë e rajonit, Maqedonia është vendi më i mirë për ndërtimin dhe zgjerimin e projektit më të ri të infrastrukturës energjetike në rajon, të ashtu quajtur Rrjedha Turke,” tha Çizhov.
Tubacioni i propozuar i Rusisë do të funksionojë si një zgjatje e një lidhjeje midis Rusisë dhe Turqisë.

Eshtë plani i fundit i OAO Gazprom-it për të furnizuar me gaz Evropën Jugore dhe Qendrore pasi eksportuesi i gazit në pronësi shtetërore ka braktisur projektin 45 miliardë dollarë të Rrjedhës së Jugut në dhjetor, si rrjedhojë e kundërshtimeve nga Bashkimi Evropian. Ashtu si paraardhësit e tij fatkeq, e ashtuquajtura Rrjedha Turke është dizajnuar që të anashkalojë Ukrainën, duke e privuar atë nga të ardhurat jetike nga taksat e tranzitit.

Ndërtimi i gazsjellësit

“Me qëllim që të ndihmojë Gazprom të arrijë tregjet e Europës Qendrore, Rusia ka promovuar ndërtimin e një gazsjellësi që do të kalojë nga Greqia në Maqedoni, Serbi e Hungari,” ka shkruar analisti nga kompania konsultuese me bazë në Teksas, Stratfor. “Këto katër vende janë në qendër të një sulmi diplomatik rus.”

Megjithatë, projekti përballet me një mal me pengesa. Ashtu si Rrjedha e Jugut, ai do të duhet të jetë në linjë me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së, që i kërkojnë rusëve të heqin dorë nga kontrolli i gazsjellësit në kufijtë e vet. Edhe pse Maqedonia nuk është një anëtar i BE-së, gazsjellësi në fillim duhet të kalojë nga Turqia në Greqi dhe kjo e fundit është në BE.

“Seksioni në det të hapur i Rrjedhës së Jugut planifikonte ta dorëzonte gazin rus në kufirin e BE-së në të njëjtën mënyrë si tubacioni i Rrjedhës Turke, “tha Mikhail Korchemkin, themeluesi i ‘East European Gas Analysis’ në Malvern, Pensilvani. “I vetmi ndryshim është se Rrjedha e Jugut ishte më pak e shtrenjtë.”

Oferta greke

Rusia thotë se nuk do të insistojnë me që të ketë aksione në pjesën që kalon përmes BE. Në vend të kësaj, Presidenti Vladimir Putin i ofroi Greqisë së shkatërruar nga kriza “qindra milionë euro çdo vit” në pagesat e tranzitit të gazit nëse bashkohet me planin e tubacionit. Tubacioni më pas do të vazhdojë përmes Maqedonisë dhe Serbisë, për të shkuar drejt Italisë dhe Austrisë.

“Për mua është ende shumë e sforcuar për të folur për një tubacion që do të lidhet me një projekt që është ende vetëm në letër,” tha Nikola Dimitrov, një kërkues në Institutin e Hagës për Drejtësin Globale dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Hollandë. “Është një pyetje e madhe, nëse ajo ndonjëherë do të ndodhë.”

Megjithatë, rusët duken të vendosur që të lejojnë kontratat e tyre tranzit me Ukrainën të skadojnë me 2019 në favor të rrugës alternative në Detin e Zi. Gazprom ka shtruar tashmë 472 kilometra në të ashtuquajturin Korridorin Jugor, pjesa në tokë e tubacionit në Rusi, në pritje të marrëveshjes.

Beteja me armë

Për Maqedoninë, çdo gazsjellës është një zgjidhje e largët e krizës që ka kapur tashmë vendin. Opozita e ka akuzuar Gruevskin për abuzim të pushtetit dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se rritja ekonomike mund të dëmtohet. Ndërkohë, një betejë armë në qytetin verilindor të Kumanovës javën e kaluar la 22 të vdekur në atë që qeveria e quajti një sulm terrorist nga kryengritësit shqiptarë.
“Ne jemi shumë të shqetësuar – ngjarjet maqedonase janë menaxhuar në mënyrë mizore nga jashtë,” tha të mërkurën Lavrov i Rusisë.

“Është shumë e trishtuar dhe e rrezikshme që, për të minuar qeverinë e Gruevskit, të përdoret faktori shqiptar.”

Monitor

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat