Të vrarëve në Maqedoni u bëhet autopsia në Prishtinë, a u masakruan pasi u kapën të gjallë?

Lajme

Të vrarëve në Maqedoni u bëhet autopsia në Prishtinë, a u masakruan pasi u kapën të gjallë?

Më: 22 maj 2015 Në ora: 18:37

Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka miratuar kërkesën e familjarëve të shqiptarëve të vrarë në Kumanovë, që trupave të pajetë t’u kryhet një autopsi e re nga Mjekësia Ligjore e Kosovës.

Top Channel ka mësuar se, 3 nga 9 të vrarët janë masakruar deri në shpërfytyrim dhe do të jetë pikërisht autopsia e re, ajo që pritet të japë përgjigje ndaj dyshimeve të familjarëve, nëse ndonjë prej tyre është vrarë dhe masakruar, pasi është kapur i gjallë.

“Medoemos, që autopsia tregon çdo gjë. Çdo gjë do të filmohet, çdo gjë do të shenjëzohet dhe ajo do të tregojë gjithçka. Ajo që do të mësohet, në formën e një raporti të autopsisë së dytë, do t’i prezantohet prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës”, tha Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore.

Gërxhaliu tha se, ekipet e tij janë gati për nisjen e autopsisë, por shtoi se janë duke pritur raportet mjekoligjore maqedonase, për të parë dhe krahasuar ndërhyrjet, që kanë bërë gjatë autopsisë së parë.

“Stafi i mjekëve të Departamentit të Mjekësisë Ligjore, sapo mori vendimin që, me të ardhur raportet e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, ne jemi të gatshëm në çdo minutë, të hyjmë dhe t’i kryejmë brenda ditës, autopsitë e të gjithëve, në departamentin tonë”, tha më tej Arsim Gërxhaliu.

Mësohet se Ambasada e Kosovës në Maqedoni është duke punuar me autoritetet në Shkup, që të merren sa më parë raportet e Institutit të Mjekësisë Ligjore atje, e t’u dorëzohen mjekëve në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Trupat e pajetë të 9 të vrarëve në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes, ku u pritën me flamuj kombëtare nga të afërm dhe shumë qytetarë, në pikën kufitare në Hanit të Elezit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat