Sabri Hamiti merr nënshtetësinë shqiptare

Lajme

Sabri Hamiti merr nënshtetësinë shqiptare

Më: 22 maj 2015 Në ora: 15:40

​Akademiku i njohur Sabri Hamiti ka marrë sot nënshtetësinë shqiptare, në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Presidenca Shqiptare. Dorëzimi i nënshtetësisë është bërë nga presidenti, Bujar Nishani i cili ka shprehur mirënjohje të lartë për figurën dhe personalitetin që paraqet Sabri Hamiti, jo thjesht për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë.

Presidenti Nishani tha se profesor Sabri Hamiti mbetet një vlerë e jona kombëtare.

Nishani: Sabri Hamiti një vlerë kombëtare

"Ky dekret bashkon përmbajtjen me kombin. Nuk duam t'ia marrim Kosovës por t’ua japim të gjithë shqiptarëve; tu japim legjitimitetin për tu ndjerë njësoj krenarë për një vlerë kombëtare si profesor Sabri Hamiti. Pavarësia e Kosovës ishte një projekt madhështor, ideator dhe frymëzues i së cilës është edhe Sabri Hamiti. Në kontekstin e kësaj fryme, Sabri Hamiti të cilin fati e lëndoi por e shpëtoi nga plumbat e makinës vrastare të Millosheviçit, ka ndërtuar në bashkëkohësi, simbiozën impresionuese të njeriut krijues; të mendimtarit dhe veprimtarit. Referenca etike dhe intelektuale si Sabri Hamiti të cilët me jetën dhe veprën e tyre të bashkuara në një, si ndërgjegje e kohës sonë, mishërojnë Kosovën shembull përpjekjesh për liri kombëtare dhe pavarësi," tha presidenti Bujar Nishani.

Vetë profesor Hamiti tha se ndihej krenar dhe i nderuar me marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Ai tha se gjithë punë dhe kontributin e tij e ka bërë për të krijuar atë ndjesinë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve.

Hamiti: Shqiptarët janë historikisht dhe gjeografikisht evropianë

"Sot kam marrë nderimin më të madh që kam marrë deri më sot. Kjo sepse tërë ato që kam mundur të bëjë, mendoj se i kam bërë për të krijuar atë që edhe ju e përmendët; ndjesinë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve. Mendoj se kjo është alfa dhe omega, edhe kulturore, edhe historike e shqiptarëve që në dy dekadat e fundit promovojnë një emancipim të tyre në të gjitha trevat do të thosha unë. Ju e përmendët në fjalën tuaj identifikimin e tipit 'Naimian' ; po të gjithë ne jemi nxënës të rilindasve; në kuptimin edhe emocional do të thosha, edhe në kuptimin identitar nacional. Por një poet tjetër më i vonshëm se Naimi, por sigurisht i burimësisë 'Naimiane'; Lasgush Poradeci thoshte; po pat lindur vendi i Zotit; bëj punën e njeriut! Të punojmë aq sa mundemi se shqiptarët siç janë historikisht; gjeografikisht evropianë; të jenë edhe politkisht shtete," tha profesor Sabri Hamiti.

Sabri Hamiti numëron një numër të madh veprash letrare, mbi 35 vëllime që flasin për gjuhën; letërsinë dhe identitetin shqiptar./E.Duraj/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat