Masakra e Dubravës, krim i planifikuar nga shteti serb

Lajme

Masakra e Dubravës, krim i planifikuar nga shteti serb

Më: 22 maj 2015 Në ora: 11:22

Janë bërë 16 vjet nga masakra famëkeqe e shtetit serb e kryer në Burgun e Dubravës në vitin 1999.

Masakra kishte nisur më 19 maj, për të vazhduar edhe tri ditë të tjera, e ku mbetën të vrarë më shumë se 120 të burgosur dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Më shumë se 900 të burgosur shqiptarë, kryesisht të burgosur politikë, ishin bërë pjesë e një plani monstruoz të shtetit serb, i cili i kishte sjellur në Burgun e Dubravës, vend ky që ishte kthyer në cak të sulmeve të NATO-s, pasi që paraprakisht aty ishin vendosur forcat ushtarake e policore serbe.

Nait Hasani është një prej të mbijetuarve të kësaj masakre. Ai thotë se ishin ushtarët, policët, gardianët, e madje edhe të burgosurit serbë që ishin armatosur, ata që shtinë mbi të burgosurit e mbledhur në fushën e sportit në këtë burg.

“Aty janë vrarë mbi 100 vetë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë, që do të thotë se pas luftës së dytë botërore është masakra më çnjerëzore nga Aushvici që është bërë në kohën e Hitlerit. Serbia në këtë formë ka bërë një masakër ndaj të burgosurve dhe sot e 16 vjet nuk ka asnjë përgjegjësi”, rrëfën Hasani.
Hasani dhe të mbijetuarit tjerë, kanë argumente se ky krim ishte planifikuar nga shteti serb, ndërsa janë të zhgënjyer me institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për heshtjen e këtij krimi, me arsyetimin se nuk kanë kompetencë t’i hetojnë njerëzit që nuk janë në Kosovë. Por, profesori i të drejtës penale ndërkombëtare, Ismet Salihu thotë se kjo është e paqëndrueshme.

“Me të drejtën nacionale të Kosovës, por edhe me të drejtën ndërkombëtare penale, por edhe me juridiksionin, me pushtetin e atëhershëm të UNMIK-ut dhe tani të EULEX-it, këta kanë të drejtë të iniciojnë procedurën e hetimeve, vetë me kapacitetet e tyre dhe të lëshojnë fletarreste që këto t’i bëjë Interpoli dhe Europoli”, thotë Salihu për Radio Kosovën.
Ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi thotë se Kuvendi e ka kryer punën e vetë sa i përket masakrës në Burgun e Dubravës, por përgjegjësia kryesore i bie Qeverisë.

“Në fund të fundit, bisedimet në Bruksel janë zhvilluar nga ekzekutivi dhe ekzekutivi e ka përgjegjësinë kryesore për këtë çështje”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Ligjvënësit i fajësojnë qeverinë aktuale dhe qeveritë e deritashme që nuk kanë bërë sa duhet në këtë drejtim. Në mënyrë të veçantë e fajësojnë Ministrinë e Drejtësisë. Kreu i kësaj ministrie, Hajredin Kuçi tha për Radio Kosovën se kërkesën për hetimi për masakrën në Burgun e Dubravës e ka bërë që në ditët e para kur është emëruar ministër i Drejtësisë në mandatin e parë.

Ai theksoi se u ka dërguar letër të gjithë faktorëve relevantë ndërkombëtarë përfshirë edhe Serbinë, për të dhënë informata për udhëheqësit e asaj kohe në Burgun e Dubravës dhe për ekstradimin e tyre në Kosovë.

Ndryshe, tani brenda burgut të Dubravës është ndërtuar një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër. Ka edhe të tillë që kanë qenë në burg dhe tani konsiderohen të zhdukur, prandaj e vërteta për Dubravën edh sot e kësaj dite mbetet e pasqaruar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat