​Eurovizion, Ambasada Austriake në Tiranë bën tifo për Elhaida Danin

Lajme

​Eurovizion, Ambasada Austriake në Tiranë bën tifo për Elhaida Danin

Më: 7 maj 2015 Në ora: 11:24

Elhaida Dani ka dhuruar një mbrëmje magjike këtë të mërkurë në Tiranë, ndërsa ka kënduar disa nga këngët e saj më të mira në një ceremoni të veçantë organizuar për nder të saj nga Ambasada Austriake në Tiranë dhe Radio Televizioni Shqiptar.

Të ftuar në këtë mbrëmje kanë qenë edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, por edhe ambasadori i Serbisë dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Ambasadori Austriak Thomas Schnoell tha me humor gjatë mbrëmjes se edhe pse është austriak sot bën tifo për Elhaidën që ajo të kthehet nga Vjena në Tiranë me një fitore.

Schnoell: Urojmë që Elhaida ta sjellë Eurovizionin në Tiranë

"Unë do të ndryshoj paksa rolin tim sonte dhe do të promovoj peformancën shqiptare të Elhaidës, dhe jam shumë i lumtur që ajo do të prezantoj Shqipërinë në Eurosong këtë vit, dhe jam i sigurt që do të jetë e para dhe më e mira në këtë event. Mesazhi kryesor i konkurrencës në Eurovizion është që të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe shpresojmë që me performancën dhe kontributin e Elhaidës, ne do ta mirëpresim Eurovizonin këtu në Tiranë, dhe do të doja që të flitej për Shqipërinë," tha ambasadori Austriak Thomas Schnoell.

Ndërsa Martin Leka drejtor i RTSH-së e quajti Elhaidën një yll vetëm në fillim të karrierës, që me talentin e saj është një garanci absolute për suksesin e Shqipërisë në Eurovizion.

Leka: Elhaida Dani një yll në fillim të karrierës

"Festivali Europian i këngës që nga krijimi i tij në vitin 1956 kishte si qëllim të bashkonte vendet europiane, ti bashkonte rreth muzikës, dhe tashmë mund të thuhet pa dyshim se ky aktivitet dhe kjo sipërmarrje gjigante ja kanë arritur qëllimit. Për RTSH-në është një kënaqësi e veçantë dhe një nder gjithashtu tu ofrojë artistëve shqiptarë mundësinë për të përfaqësuar denjësisht vendin e tyre në këtë eveniment të madh të këngës. Edhe në këtë Eurovizion jemi të sigurt që do të paraqesim vlerat më të mira mbarëkombëtare të muzikës; garanci për këtë është këngëtarja jonë e famshme e muzikës siç tha ambasadori Elhaida Dani një yll vetëm në fillim të karrierës por nuk mund të lë pa përmendur se një garanci më tepër është produkti dhe krijimtaria e këngës; kompozitorëve Zzap'n'Chris dhe poezisë së Sokol Marsit", tha Martin Leka.

Vetë Elhaida është shprehur e entuziazmuar për gjithë fjalët e bukura që iu thanë në këtë mbrëmje, dhe tha se ndihet krenare që do përfaqësojë Shqipërinë në një kompeticion të tillë siç është Eurosong.

Elhaida Dani: Jam krenare që jam pjesë e kastës së këngëtarëve në Eurovizion

"Ajo që unë dua të them është një falenderim i madh për mbështetjen që kam marrë. Dua të them që ndihem krenare të jem pjesë e atyre këngëtarëve që kanë përfaqësuar Shqipërinë; ti falënderoj dhe tu them që jam krenare; këngëtarëve që kanë marrë pjesë deri më sot në Eurovizion, sepse kanë qenë një shembull për mua këngëtarët shqiptarë, dhe uroj si ata të kthehem dhe unë me një fitore ashtu si janë kthyer të gjithë ata. Dua të falënderoj shumë drejtorin e RTSH-së Martin Leka për durimin sepse ka bërë një punë të mrekullueshme sepse unë prapa kuintave nuk jam kaq e thjeshtë dhe e ëmbël sa dukem këtu. Dhe dua të falënderoj shumë për këngën e mrekullueshme Zzap'n'Chris kanë bërë një punë të mrekullueshme, një duartrokitje për ta, por falënderoj edhe z.Sokol Marsi për tekstin," tha Elhaida Dani.

Festivali i 60-të i Eurovizionit do të zhvillohet këtë vit në Vjenë. Festivali ndër vite ka ardhur duke 'u rritur', ku nga 7 vende që morën pjesë në edicionin e parë të këtij Festivali në vitin 1956, sot marrin pjesë 40 vende.

Për herë të parë Shqipëria është bërë pjesë e Eurosong në vitin 2004, me këngëtaren Anjeza Shahini e cila u rendit në 7 këngët më të mira të atij viti. Por performanca më e mirë deri më tani ka qenë ajo e vitit 2012, e Rona Nishliut me "Suus", që fitoi vendin e pestë./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat