Kur do ti hetojë MASHT-i titujt shkencorë të politikanëve!

Lajme

Kur do ti hetojë MASHT-i titujt shkencorë të politikanëve!

Më: 7 maj 2015 Në ora: 10:15

Tronditjet në arsimin e Kosovës po vazhdojnë. Inspektorati i Ministrisë së Arsimit do të hetojë vlefshmërinë edhe të 84 diplomave të mësimdhënësve në Gjakovë, për shkak të dyshimeve për falsifikimin e tyre.
Pak ditë më parë kishim të dyshuara mbi 300 diploma në Universitetin e Pejës. Sa diploma të dyshuar ka në Universitetin e Prizrenit, të Gjilanit, të UP-së, e të Mitrovicës të mos pyesim më mirë, çështja është se deri në sa mund të përdorim numrat, 500 diploma fals, një mijë, dy mijë.... vetëm në arsimin e lartë publik! Po në atë privat sa janë të dyshuara!
Po sa tituj masteri janë të dyshimtë, nga njerëz që nuk kanë kokrrën e dijes dhe ishin shkëputur prej kohësh nga puna shkencore, dhe marrja me studime e shkrime.
Sa tituj doktorate janë të dyshimtë të marrur në Kosovë apo në Shqipëri apo edhe gjetkë?! Madje jemi të njohur edhe për tituj doktorate të marrë jashtë vendit në mënyrë të çuditshëm!
Sa tituj doktorë shkencash kanë marrë politikanët, ata të cilët me dekada ishin shkëputur nga fakulteti dhe më tej, akoma kanë marrë tituj master dhe në vrap edhe tituj shkencorë doktorë, si dhe një pjesë ë tyre më pas u bën edhe mësimdhënës universitar, madje edhe sot drejtojnë fakultete.
Kjo është fatkeqësia më e madhe, derisa të parët i mësojnë nxënësit në shkolla apo zënë vende kyçe në administratë me diploma false, të dytët, doktorët zënë pozita kyçe edhe në arsimin e lartë dhe më tej akoma, edhe më pas vazhdojnë me nxjerrjen e të diplomuarve pa nivel.
Këtu edhe gjindet një pjesë e shkakut se pse ka rënë aq shumë vlera e diplomës së fakultetit, ajo e bachelorit po se po, por edhe e masterit, ndërsa gjithnjë e më pak respekt ka edhe për ata që kanë tituj shkencorë, të cilët pos titullit nuk kanë asnjë punim shkencor më pas! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat