Hamasi “edhe më i keq se Izraeli”

Lajme

Hamasi “edhe më i keq se Izraeli”

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:11

Në Rripin e Gazës janë rritur tensionet midis grupit palestinez të Hamasit dhe Mbështetësve të Shtetit Islamik në Jerusalem.

Kulmi ka ndodhur më 3 maj, kur Hamasi ka shkatërruar një xhami që i përkiste mbështetësve të IS-it në qytetin Deir al-Balah.

Mbështetësit e Shtetit Islamik në Jerusalem i janë përgjigjur prishjes së xhamisë me një deklaratë, e cila kërcënon me sulme kundër caqeve të Hamasit, nëse grupi palestinez nuk liron disa militantë të tij, të cilët janë arrestuar në Gaza muajin e kaluar.

Në një llogari në Twitter, që u përket Mbështetësve të Shtetit Islamik në Jerusalem, është thënë se këta të fundit i kanë dhënë Hamasit 72 orë kohë për të liruar të burgosurit salafistë; në të kundërtën do të përballen me pasoja.

Njëri nga këta të burgosur është Sheikh Adnan Khader Mayyat, salafist radikal, për të cilin Hamasi thotë se ka lidhje me Shtetin Islamik.

Sipas të përditshmes egjiptiane Al Masry Al Youm, Mbështetësit e Shtetit Islamik në Jerusalem kanë thënë se tre buldozerë kanë shkatërruar xhaminë, “edhe më keq se hebrenjtë apo amerikanët”. Sipas tyre, në xhami kanë mësuar “myslimanë të zakonshëm”.

Ata po ashtu kanë thënë se “në përgjigje të sjelljes së re të Hamasit”, i shprehin sërish besnikëri liderit të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, dhe i bëjnë thirrje që të forcojë ndikimin e tij në tokat palestineze.

Është e paqartë nëse Mështetësit e Shtetit Islamik në Jerusalem kanë kryer ndonjë aksion kundër Hamasit.

Grupi nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e një bombe pranë një objekti të Hamasit në veri të Gazës, më 4 maj, edhe pse aktivistët në mediat sociale ua kanë atribuar sulmin “grupeve salafiste”.

Hamasi po ashtu ka thënë se Shteti Islamik nuk ka prani në Gaza. Por, Matthew Levitt, ekspert për Hamasin në Institutin e Uashingtonit për Politika të Lindjes së Afërme, thotë se Shtetit Islamik ka tërhequr mbështetës edhe në Gaza.

“Shteti Islamik nuk ekziston, por popullariteti ka radikalizuar individë në Gaza”, thotë Levitt për Radion Evropa e Lirë.

Shkalla në të cilën ka fituar tërheqje IS-i midis individëve salafistë në Gaza, është e paqartë.

Në muajin janar është thënë se lideri i Shtetit Islamik, al-Baghdadi, nuk ka pranuar aleancë me grupet apo individët salafistë në Rripin e Gazës, për faktin se ata janë të ndarë. / rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat