Shtyhet seanca e gjykimit për vrasjen te parkingu i “Ramiz Sadikut”

Lajme

Shtyhet seanca e gjykimit për vrasjen te parkingu i “Ramiz Sadikut”

Më: 6 maj 2015 Në ora: 11:01

​Për shkak se një anëtar i trupit gjykues mungoi për arsye shëndetësore, është shtyrë seanca e gjykimit për vrasjen e Alban Kastratit që ndodhi pas një rrahjeje mes disa personave në Prishtinë më 24 shtator 2011.

Kryetarja e trupit gjykues ishte e detyruar që t’i njoftonte palët se seanca gjyqësore sot nuk do të mbahet pasi nuk ishte i kompletuar trupi gjykues prej tre anëtarëve.

Në seancën e sotme gjyqësore ishte paraparë të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Një mosmarrëveshje mes anëtarëve të familjeve Krasniqi e Kastrati më 24 shtator 2011 eskaloi në përleshje ku u përdorën edhe armë, ndërsa nga plumbat vdiq Alban Kastrati.

Vrasja e tij ndodhi te ish-parkingu i ndërmarrjes shoqërore KNI “Ramiz Sadiku”.

Në këtë proces gjyqësor për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të Alban Kastratit akuzohen Kadri Krasniqi dhe i mituri J. K, ndërsa për pjesëmarrje në rrahje ngarkohen Shefki e Mentor Krasniqi dhe Albert Kastrati e Nazmi Dushi.

Mentor Krasniqi ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë për këtë rast më 19 qershor 2012.

Seanca është shtyrë për datë të pacaktuar pasi që për mungesë të gjyqtarit nuk mund të caktohej ajo, pasi dy anëtarët e trupit gjykues nuk mund të koordinonin datën e mbajtjes pa u marrë vesh me anëtarin që mungonte.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat