Nxënësit e Kosovës në “Olimpiadën e Aftësive Profesionale 2015”

Lajme

Nxënësit e Kosovës në “Olimpiadën e Aftësive Profesionale 2015”

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:27

Me ftesë të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për herë të parë nxënësit e Kosovës do të marrin pjesë në eventin ”Olimpiada e Aftësive Profesionale 2015”, në Shqipëri, me datën 8 Maj, ditë e premte.
Konkretisht në këtë garë do të marrin pjesë nxënësit e dy shkollave partnere të Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr), që janë Sh. M.L.T. “11 Marsi” nga Prizren me Pikturë, kurse nxënësit nga Qendra e Kompetencës në Skenderaj me drejtimet: Instalues i sistemeve Termohidraulike; Ndërtim dhe Elektroteknikë.
“Muajin e kaluar, së bashku me dy zëvendës drejtorët e shkollave pjesëmarrëse, ishim në Shqipëri për t’i dakorduar aktivitetet, ndërsa të hënën nxënësit nga Qendra e Kompetencës në Skenderaj ishin për t’u njoftuar më hollësisht nga trajnerët për kriteret e pjesëmarrjes në Olimpiad. Për secilin profil janë nga pesë nxënës pjesëmarrës, ku nxënësit demonstrojnë njohurit e tyre teorike dhe praktike”, ka theksuar Mendohije Krelani, zyrtare profesionale për çështje pedagogjike në Agjencinë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr).
Sipas Krelanit, fituesit e vendit të parë, do të fitojnë pajisje për nevojat e kryerjes së praktikave profesionale nga Kompania Megatek ne vlerë prej 3000 mijë euro. “Kjo është një shans e mirë për nxënësit tanë, dhe nuk kam fare dyshim në njohurit e tyre ”, ka thënë Krelani.
Kurse gjithsej në këtë garë nxënësit nga Shqipëria do të garojnë në këto drejtime: Instalues i sistemeve termohidraulike; Ndërtim; Bujqësi (Kopshtari); Përpunim Druri; Elektroteknikë (Instalime Elektrike civile dhe industriale); Teknologji e informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe Pikturë. Ky event vjetorë më i madhi për Arsimin dhe Formimin Profesional në Shqipëri, organizohet në kuadër të veprimtarive për promovimin e Arsimit dhe Formimit Profesional, me nismë të Kompanisë MEGATEK, duke pasur mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve dhe partnerëve të tjerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat