Më në fund po i del tymi Qeverisë Gruevski

Lajme

Më në fund po i del tymi Qeverisë Gruevski

Më: 6 maj 2015 Në ora: 09:21

Shumë nga politikanët dhe analistët shqiptarë në Maqedoni mendojnë se rënia apo jo e Gruevskit është çështje e sllavomaqedonëve pasi kryeministri është i tyre. Ndërkohë, që shqiptarët janë viktimat e vërteta dhe shtypja është e drejtuar pikërisht ndaj tyre, si dhuna sistematike policore, po ashtu edhe dhuna diskriminuese dhe shtypëse, procese të montuara gjyqësore, burgje të mbushura me shqiptarë të pafajshëm dhe më tej akoma skema të dëbimit të shqiptarëve qoftë nga dhuna policore qoftë nëpërmjet propagandës se zgjidhja e vetme është dalja jashtë vendit, qoftë me skema joshje, për ti dërguar drejt perëndimit.
Por, cili do të duhej të ishte roli real i politikës shqiptare në këtë mjedis, ku pakënaqësia e ka arritur kulmin ndaj qeverisë Gruevski, e cila siç po vërtetohet ka sajuar edhe rastin morbid “Monstra”.
Ishim ne “Bota sot” që në mënyrë sistematike kemi shkruar që nga dita e dhënies së këtij lajmi për ngjarjen e shëmtuar, se krimi “Monstra” ishte kryer nga shërbime sekrete dhe nuk kishte shanse ta bënin shqiptarët, dhe se fajtori duhej kërkuar tek pushteti.
Qëllimi ishte i qartë, që shqiptarët në Maqedoni ti prezantoheshin botës si islamist radikal dhe që të margjinalizoheshin në saje të perceptimit negativ. Pra, që bashkësia ndërkombëtare të mos interesohet as për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, e lëre më tu jap shqiptarëve më shumë të drejta, diçka të ngjashme me ato të serbëve në Kosovë apo që të jenë vërtetë të barabartë.
Skemat e manipulimit të zgjedhjeve dëshmuan se sa të shitura janë partitë shqiptare, përkatësisht BDI-ja në pushtet, që nuk la mashtrim pa bërë për një grim pushteti vetanak, që dogji interesat nacionale të shqiptarëve.
Atëherë, a duhet shqiptarët të brengosen për atë që po ndodh në Maqedoni nëse ata janë viktima sistematike të këtij pushteti?! Edhe arsyetimi politik edhe moral thotë po, pa dyshim! Është vetëm mënyra e qasjes në këtë zhvillim, ajo që i jep interpretim të ri politikës.
Partitë politike shqiptare dhe vetë shqiptarët do të duhet të protestojnë patjetër, dhe madje t’ia bëjnë të qartë pushtetit sllavomaqedpnas, se këmbë polici nuk shkel më në shtëpitë e shqiptarëve, pa u qartësuar mirë të drejtat e shqiptarëve dhe pa u garantuar se ato nuk mund të shkilen.
Se punësimi në institucione do të jetë patjetër sipas përfaqësimit etnik, minimum 45 % shqiptarë, dhe 10-20 për pakicat tjera, sa janë ato, dhe 35-45 % për popullatën sllavomaqedonase.
Se librat e historisë dhe gjeografisë nuk mund të fyejnë shqiptarët, të falsifikohet historia dhe kultura, dhe që heronjve të monumenteve tu shkruhet qartësisht se Aleksandri i madh është iliro-maqedonas (maqedonas antik) dhe u përket si trashëgimi shqiptarëve, se monumentet e Konstantinit të Madh, Justinianit dhe të tjerëve, që janë ilir tu shkruhet se janë ilir paraardhës të shqiptarëve, sikurse edhe monumentit të Nënës Terezë, se ajo ishte një shqiptare.
Pra, shqiptarët duhet të jenë pjesë e vlimeve të rrëzimit të qeverisë, por me kushtet e tyre për realizimin e të gjitha të drejtave të tyre, qoftë duke kushtëzuar edhe me federalizim të Maqedonisë! I. M.

Lexoni edhe këtë
>>Situatë e tensionuar në Maqedoni (Video)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat