Quni: Klosi ishte sabotues i luftës - Nano e Millosheviqi kishin një marrëveshje të keqe! (Video)

Lajme

Quni: Klosi ishte sabotues i luftës - Nano e Millosheviqi kishin një marrëveshje të keqe! (Video)

Më: 5 maj 2015 Në ora: 22:16

Deputeti i LDK-se në Kuvendin e Kosovës, Anton Quni, në emisionin 'Rrokum Roll' me Fidan Jupollin në Televizionin Rrokum, ka folur për shumë momente që ndërlidhen me luftën dhe prapavijën e luftës së vitit 1998-1999.

Në pyetjen e Jupollit se pse u vra koloneli Ahmet Krasniqi, Quni tha se arsyet duhet të kërkohen në një marrëveshje ekzistuese - asokohe mes Sllobodan Millosheviqit dhe kryeministrit shqiptar të asaj kohe, Fatos Nano - sipas se cilës lufta duhej të ishte “e kontrolluar, jo me armatime të rënda dhe pa kuadër profesional".

Duke folur për nismat e para të organizimit për luftë, Quni tha se pas Kushtetutës se Kaçanikut janë ngritur institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Është formuar Ministria e Mbrojtës dhe kolonel Ahmet Krasniqi është nominuar nga ana e Qeverisë në ekzil, me kryeministër Bujar Bukofshin. Mbështetjet e luftës ishin mbi 70 për qind nga LDK. Deklarata e Rugovës për me e mbrojt pragun e shtëpisë ishte urdhër për luftë”.

Duke i komentuar deklaratat e paradokohshme të ish-shefit të SHIK në Shqipëri, Fatos Klosit, Quni tha Klosi ka pasë mundësi me u vu në shërbimin për kauzën kombëtare, por se po shihet se ai e ka favorizua njërin formacion derisa tjetrin e ka refuzua.

“Duhet të hetohet nga organet kompetente, nëse ai i ka bë mirë vendit apo jo”.

Quni ka thanë se problemet në Shqipëri kanë qenë të shumta, që prej ardhjes në Aeroportin e Rinasit e deri të akomodimi i ushtarakëve. Ai deklaron se shumë agjentë të SHIK-ut kanë rrezikuar jetën për ta ndihmuar luftën, porse ka pasë edhe të atillë që kanë tejkaluar autorizimet.

“Është fat i madh që Klosi nuk ia doli me e shtri autoritetin e tij në të gjitha celulat dhe organizimin ushtarak. E ftoj Klosin në debat si burri me burrin, për me i sqarua të gjitha çështjet që kanë ndodhur në atë kohë”.

Quni thotë se Klosi është si një kometë që zgjat pak sekonda e fiket, ndërsa shton se vrasja e Ahmët Krasniqit e ka dëmtuar shumë luftën, për çka Klosi duhet vetë të shtrojë pyetjen se pse u vra ai!

“Klosi i ka shërbyer pengesave për ta ndihmuar luftën çlirimtare, si me kuadro ashtu edhe me armatim”.

Ai thekson se Kosova e ka pasë kauzën e drejtë të luftës për liri dhe se në këtë situatë të ngrihet Klosi e të mohojë luftën dhe sakrificën e luftës, nuk mund të quhet ndryshe përveçse një sabotues i luftës. /Rrokum/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat