“Llamkos”, i falimentuar rrezikon banorët

Lajme

“Llamkos”, i falimentuar rrezikon banorët

Më: 5 maj 2015 Në ora: 19:17

(I plotësuar)Me t’u ngritë temperaturat, Beqir Meholli nga komuna e Vushtrrisë, që banon në afërsi të fabrikës “Llamkos”, ndjehet i rrezikuar nga mundësia e rrjedhjes së amoniakut në këtë fabrikë.

Ai ishte për 18 vjet punëtor në këtë fabrikë, dikur me nam e tashmë e falimentuar. Tani, thotë se ai dhe gjithë banorët përreth jetojnë në frikë se nga çasti në çast gjendja aty do të përkeqësohet.
Rrjedhja e amoniakut shqetësoi edhe sot banorët. Si pasojë e shkyçjes së energjisë elektrike në fabrikë, sot ka pas rrjedhje të amoniakut por që ekipet e zjarrfikësve kanë arritur në kohë ku edhe kanë evituar rrezikun. Ani pse temperatura në rezervuarët e amoniakut është rritur, zjarrfikësit kanë arritur në kohë të bëjnë ftohjen mekanike, me ujë. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë tregon se nuk ka vend për panik.

Në rezervuarët e “Llamkosit” gjenden rreth 7 ton amoniak, të cilët në mungesë të rrymës paraqesin rrezik për banorët rreth saj.

Meholli: Banorët janë të rrezikuar

(Video)

“Jemi të rrezikuar shumë, veç pak me u çelë diku, fëmijë e të moçëm, krejt çka ka gjallesa zhduken, se kjo është e rrezikshme.... Si të nxehet koha kjo është e rrezikshme, përpara kur kemi punuar kjo e ka pas sistemin me ujë nalt, ka rrjedhë ujë mbi të gjithë dhe kemi punuar mirë. Nxehtësia qajo është, këti janë ngarkuar sigurisht dhe del rreziku, atëherë duhet me eksplodu diçka se nxehtë”, thotë Beqir Meholli, banor në afërsi të fabrikës.

E drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Vushtrrisë, Nezir Klinaku thotë se në orët e pasdites janë lajmëruar nga rojtarët e fabrikës por që ekipet e zjarrfikësve kanë arritur me kohë dhe e kanë evituar rrezikun.

Klinaku: Ka pas rrezik por është evituar

(Video)

“Sigurimi i ‘Llamkosit’ na ka njoftuar që presioni, rezervarët e amoniakut që gjenden këtu në fabrikë, është ngritë në nivel, do të thotë shtypja është rritë në ata rezervarë dhe kemi ardhë në vendin e ngjarjes dhe e kemi vërtetuar që është ashtu dhe kemi marrë masa me zjarrfikësit, e kemi bërë ftohjen e rezervuarëve dhe momentalisht nuk ka kurrfarë rreziku prej këtyre rezervuarëve..... Është e vërtetë që ka pas një rrezik por është evituar dhe nuk ka vend për panik”, thotë ai.

Ai tregon se tash e dy vite po merren me këtë problem, e krejt kjo si pasojë e mungesës së një pronari të fabrikës.

Klinaku: Rreziku kryesor vjen për shkak të mungesës së energjisë elektrike

(Video)

“Në fabrikën e ‘Llamkos’it mungon energjia elektrike. Ata rezervuarë të amoniakut e kanë sistemin e ftohjes me ujë, të cilët, në mungesë të energjisë elektrike nuk mund të bëjnë ftohjen e rezervarëve. Komuna, që dy vite merremi me këtë problem, deri para një muaji fabrika Llamkos ka mbetë pa zot shtëpie, pronarët e fabrikës nuk janë kërkund. Tash është caktuar një administrator për fabrikën, kemi kontaktuar me ta dhe na kanë thënë që së shpejti do të bëjmë një takim për me evidentu këtë rrezik. Rreziku kryesor është për shkak të energjisë elektrike”, thotë ai.

Ai bënë thirrje tek banorët që mos të shkaktojnë panik, pasi që situata tani për tani është nën kontroll.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 23 janar ka shpallur falimentimin e fabrikës së Llamarinës duke caktuar një administrator falimentues, i cili kujdeset për këtë fabrikë./G.KADRIJA/.

Rrjedh amoniak në Fabrikë të Llamarinës, Klinaku: Nuk ka arsye për panik

Rrjedhja e amoniakut në Fabrikën e Llamarinës në Vushtrri ka shkaktuar panik tek qytetarët e kësaj komune.

Por drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim i komunës së Vushtrrisë Nezir Klinaku tha për KosovaPress se gjendja për momentin është nën kontroll dhe nuk ka ndonjë vend për shqetësim.

Ai sqaron se krejt kjo ka ardhur si pasojë e shkyqjes nga energjia elektrike e fabrikës që tashmë ka falimentuar.

“Zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes dhe gjithçka është evituar”, tha Klinaku nëpërmjet telefonit.

Ai konfirmoi se sot pasdite kanë marrë një njoftim nga punëtorët e sigurimit të fabrikës, se temperatura në rezervuarët e amoniakut është rritur ku më pastaj janë dërguar njësitë e zjarrfikësve në vend të ngjarjes, të cilët e kanë bërë ftohjen mekanike të rezervuarve me ujë.

Në rezervuarët e Llamkosit gjenden rreth 7 ton amoniak, të cilët në mungesë të rrymës paraqesin rrezik për banorët rreth saj.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 23 janar ka shpallur falimentimin e fabrikës së Llamarinës duke caktuar një administrator falimentues, i cili kujdeset për këtë fabrikë.

Klinaku tha se sot pas alarmit për rrjedhje të amoniakut e ka kontaktuar këtë administrator por i njëjti gjendet jashtë vendit./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat