Kosova inspekton cilësinë e mallrave nga Shqipëria

Lajme

Kosova inspekton cilësinë e mallrave nga Shqipëria

Më: 5 maj 2015 Në ora: 12:39

Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë prej sot janë vendosur në pikën kufitare Kosovë - Shqipëri, në Morinë, me qëllim të mbikëqyrjes së cilësisë së mallrave që importohen nga Shqiperia

Kryeshefi i Agjencisë, Valdet Gjinovci tha për Radio Kosovën se kjo do të ndikojë në rritjen e sigurisë së ushqimit, e njëkohësisht paralajmëroi se në të ardhmen inspektorët e agjencisë do të vendosen edhe në pikat tjera kufitare.

Produktet që importohen nga Shqipëria përmes pikëkalimit kufitar në Morinë prej tani do të kontrollohen nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Kjo do të ndikojë në rritjen e sigurisë së ushqimeve që konsumohen nga konsumatorët vendorë, sidomos atyre sezonale, thotë kryeshefi i kësaj Agjencie, Valdet Gjinovci.
“Sot kemi vendosur inspektorët në pikën kufitare në Morinë, ku do të jenë në shërbim të të gjithë klientëve që merren me importin e produkteve qoftë me origjinë bimore apo shtazore. Në çdo kohë janë të pranishëm dy inspektorë, inspektori veterinar dhe fitosanitar do të jenë të pranishëm gjatë 24 orëve me qëllim të kryerjes së shërbimeve efikase dhe shmangien e vonesave, në veçanti për produktet sezonale që tash për tash në masë të konsiderueshme përdoren nga ana e konsumatorëve kosovarë”, thotë Gjinovci.
Gjinovci thotë se edhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i Shqipërisë do të ofrojë shërbimet e njëjta për prodhuesit dhe eksportuesit kosovarë që synojnë tregun e Shqipërisë.
“Parim dhe prioritet është lejimi i importit të produkteve të sigurta ushqimore dhe kontrolli i sigurisë së tyre. Është një kontroll i detajuar, i cili do të realizohet në çdo moment. Është një kontroll i detajuar, kontroll që bëhet në çdo kohë që kërkohet nga importuesit”, thekson ai.
Kryeshefi i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë Valdet Gjinovci thotë se ky është vetëm një pilot-projekt dhe paralajmëron se inspektorët e AVUK-ut në të ardhmen do të vendosen edhe në pikat tjera kufitare.
Ndryshe, vëllimi i shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ka qenë 170 milionë euro, prej tyre import 125 milionë euro dhe eksport 45 milionë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat