Dëshmitarja Abrashi: E kam parë Oliverin në turmë, ndërsa neve na shpëtoi ‘çika Mille’

Lajme

Dëshmitarja Abrashi: E kam parë Oliverin në turmë, ndërsa neve na shpëtoi ‘çika Mille’

Më: 5 maj 2015 Në ora: 07:50

(E plotësuar) Seanca gjyqësore kundër Oliver Ivanoviq dhe katër të akuzuarve tjerë për krime ndaj popullatës shqiptare gjatë vitit 1999-2000 në veri të Mitrovicës, ka vazhduar të martën me polemika të ashpra në mes të avokatëve dhe prokurorit, nëse dëshmitarët Shemsedin, Vjosa dhe Agon Ajeti, të cilët aktualisht ndodhen në Suedi, duhet të dëshmojnë përmes video linkut apo drejtpërdrejt nga gjykata.

U tha se për shkaqe sigurie ata duhet të dëshmojnë përmes video linkut, mirëpo Trupi Gjykues ka mbetur të vendos më vonë rreth kësaj çështje.

Para Trupit Gjykues sot ka ofruar dëshminë e saj doktoresha Preveza Abrashi, e cila tha se natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 ka qenë e vetme në banesën e saj në veri të këtij qyteti, derisa bashkëshorti dhe fëmijët për shkaqe sigurie kanë qenë në Prishtinë.

Sipas saj, atë natë që nga ora 18:00 janë mbledhur numër shumë i madh serbësh nëpër rrugë, me ç’rast ka pasur shpërthime, të shtëna, sharje, ofendime dhe të ngjashme kundër shqiptarëve.

Ajo theksoi se kishte dëgjuar nga dritarja në serbishte një zë mashkulli duke thirrë të gjithë ata që nuk kanë përdorur alkool dhe barëra të lajmërohen për të dhënë gjak sepse ka të plagosur.

“Isha e frikësuar, kur pas pak në derë kanë trokitur fqinjët Sherif dhe Gjyle Hajra, të cilët më propozuan të shkojmë së bashku në katin e katërt tek Berajete Dedolli, sepse dera e hyrjes së saj ishte e hekurt dhe do të ishim më të sigurt”, ka thënë Abrashi.

Më pas, shtoi ajo, grupe njerëzish kanë filluar të hynë në ndërtesën ku ishte ajo dhe të trokasin në secilën derë, për të konfirmuar nëse diku ka shqiptarë.

“Fëmijëve ua kemi mbyllur gojën me duart tona, vetëm për ta mbajtur qetësinë dhe për të krijuar përshtypjen se në banesë nuk është askush. Kam dëgjuar një zë nga fqiu serb që e quanim ‘çika Mille’ t’u thotë njerëzve se këtu nuk ka shqiptarë. Këtij fqiu i kisha ndihmuar shumë herë më parë, sepse bashkëshorten e ka pasur të sëmurë, dhe mendoj se atë natë vetëm ai na ka shpëtuar”, theksoi mes tjerash dëshmitarja Abrashi.

Ajo ka sqaruar se herë pas here ka vëzhguar situatën nga dritarja duke thënë se ka dëgjuar zëra femrash shqiptare kryesisht, duke kërkuar ndihmë në shqip dhe anglisht.

Abrashi potencoi se në atë situatë të vështirë kishte telefonuar kryetarin e Mitrovicës në atë kohë, njëherit edhe kolegun e saj, Bajram Rexhepin, të cilin e kishte informuar për gjendjen e rëndë të krijuar në veri dhe nga i cili kishte kërkuar ndihmë.

“Më premtoi se do të bëjë gjithçka që është e mundur në kuadër të kompetencave të tij për ta qetësuar gjendjen atje”, tha Abrashi t’i ketë thënë Rexhepi.

Ajo pastaj rrëfeu edhe vrasjen e kunatës së saj, Sebiha Abrashi, që siç u shpreh ajo, kishte ndodhur rreth orës 3:00 të mëngjesit të datës 4 shkurt 2000.

“Më herët jam dëgjuar me të në telefon, por kur mësova për vrasjen e kam telefonuar prap, dhe askush nuk lajmërohej. E mora vesh se ishte e vërtetë ngjarja që kisha dëgjuar. Po thuajse çdo moment ndodhte nga diçka atë natë, ndërsa ne edhe pse nuk dilnim, informoheshim duke komunikuar me telefon njëri me tjetrin”, tha ajo.

Kirurgia Abrashi ka bërë të ditur se gjatë asaj nate për disa minuta e kishte parë edhe Oliver Ivanoviqin në mesin e të tubuarve, i cili shkonte nga udhëkryqi në drejtim të veriut, ndërsa pas tij një grup i njerëzve.

Mirëpo, ajo ka mohuar të ketë parë Oliverin të armatosur, të pajisur me radio-lidhje, apo duke dhënë urdhra në turmë.

Edhe për të akuzuarit tjerë, dëshmitarja pranoi t’i ketë njohur më herët disa prej tyre, por që nuk i kishte parë natën kritike.

Sipas saj, të nesërmen KFOR-i i ka evakuuar nga banesa duke i dërguar në pjesën jugore të qytetit, ndërsa duke dal ka përjetuar sharje dhe ofendime nga më të ndryshmet prej turmës së njerëzve të tubuar para ndërtesës, por edhe tentime për ta sulmuar fizikisht.

“Pas vrasjes së kunatës, nga vuajtjet dhe mërzia, për një periudhë të shkurtër ndoshta prej një viti e gjysmë kemi humbur edhe dy anëtarë tjerë në familje, ndërsa ne si familje e njohur dhe me gjendje të shkëlqyeshme ekonomike, mbetëm të gjithë pa shtëpitë tona dhe në rrugë”, përfundoi Abrashi.

Seanca pritet të vazhdojë nesër me dëshmitarë tjerë.

​Vazhdon gjykimi i Oliver Ivanoviqit

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës do të vazhdojë seanca ndaj Oliver Ivanoviqit.

Me 24 prill, këtij të fundit iu zgjat paraburgimi edhe për dy muaj, me akuzën se më 14 prill 1999 dhe më 3 shkurt të vitit 2000 ka kryer krime lufte kundër banorëve civilë shqiptarë.

Ivanoviq u arrestuar më 27 janar të vitit 2014, ndërsa bashkë me të akuzohen edhe Dragoljub Delibashiq, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq dhe Aleksandër Llazoviq.

Deri më tani kanë në gjykatë janë paraqitur një numër i madh i dëshmitarëve të cilët shumica prej tyre kanë dëshmuar se kanë parë të akuzuarit në pozitën e kriminelëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat