Mashtrimet e reja të SHIK-ut dhe levave të tij, për vrasjet politike!

Lajme

Mashtrimet e reja të SHIK-ut dhe levave të tij, për vrasjet politike!

Më: 3 maj 2015 Në ora: 09:42

Nëse vihen përballë kohëve të fundit deklarimet për vrasjet politike në Kosovë dhe rrjedhat e luftës, duke nisur që nga ai i Fatos Klosit - ish shefit të Shërbimit Kombëtar (SHIK) të Shqipërisë, e deri tek ato të fundit të publicistit nga Shqipëria Mero Baze dhe gazetarit nga Kosova Milaim Zeka, duke vazhduar më tej me rrëfimet e tyre kontradiktore, del një pasqyrë edhe më e turbullt e gjërave.

Por, sa janë të sinqerta deklarimet e Klosit dhe Zekës, të cilët deri më tash kanë heshtur, bile i pari vazhdon ta shfajësojë shtetin shqiptar në lidhje me çdo vrasje politike që ka ndodhur atje, përfshirë vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit. Ndërsa, Zeka bën të kundërtën provon të jap argumente, në fakt të fus turbullira më tej, duke fajësuar taborin demokrat në mënyrë indirekte, duke dhënë ‘informacione’ sipas akuzave që mund ti ketë bërë Baze, duke dashur ti ‘shesh’ si informacione, herë duke shitur informacione për vrasjet, e herë duke e shitur vetë Berishën.

Në këtë që thotë Milazim Zeka, ka mos përputhje të mëdha, sepse Baze, shumë nga akuzat e bëra i ka publikuar vetë me kohë, që nga paslufta, viti 1999 e 2000, në shtypin shqiptar, të cilat e fajësonin pikërisht të majtën dhe njerëz që sot shihen në listën e veteranëve të Shtabit të Përgjithshëm. Mero Baze kurrë nuk ka shkruar në media, se gazetari Ali Uka mund të jetë vrarë nga njerëz të Sali Berishës, përkundrazi ka portretuar figura të larta të UÇK-së, dhe ngjashëm ka bërë edhe Nju Jork Tajmsi, veçmas kur shkruan për vrasjen e Ilir Konushevcit.

Se çfarë mund të ketë thënë apo besuar privatisht Baze në atë kohë, kjo është vështirë e argumentueshme, veçmas që të ketë besuar diçka tjetër dhe të ketë shkruar diçka tjetër, aq më tepër që edhe ai ishte kërcënuar pikërisht nga ata njerëz për të cilët kishte dyshime për përfshirje në krim.

Por, kjo lojë e re, e zgjerimit të rrethit të të dyshuarve për vrasjet politike të shqiptarëve të Kosovës, gjatë dhe pas luftës, nga njëri rreth tek tjetri, nga njëri krah tek tjetri, duket sikur është loja e fundit me viktimat, me kolonelin Krasniqi, me Ilirin, me Enverin, me Xhemën dhe shumë të tjerë, deri në disa dhjetëra, para se të fillojnë të dyshuarit të dalin para drejtësisë! I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat