Mogherini: Media e lirë, esenciale për një shoqëri demokratike

Lajme

Mogherini: Media e lirë, esenciale për një shoqëri demokratike

Më: 3 maj 2015 Në ora: 09:23

Për Ditën e Lirisë së Shtypit, ka folur edhe përfaqësuesja e e lartë e Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, e cila ka thënë se media e lirë luan rol të madh në një shoqëri demokratike.
Ajo ka thënë se BE-ja do të dëshironte që t`i nderoj të gjithë ata që kanë humbur jetën, që janë burgosur për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Lexoni një shkrim të Mogherin-it:

Sot po festojmë Ditën Botërore e Lirisë së Shtypit. Një medie e lirë, e shumëllojshme dhe e pavarur është esenciale në çdo shoqëri demokratike. Pa liri të shprehjes dhe liri të mediave, një qytetari e informuar, aktive dhe e angazhuar është e pamundur.

BE-ja do të dëshironte t'i nderoj ata të cilët humbën jetën, u burgosën ose vuajtën pasoja të padrejta për ushtrimin e të drejtës së lirisë së shprehjes. Ne e ripohojmë përkushtimin tonë në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave në mbarë botën, ndërsa vazhdojmë të promovojmë sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të tjerë të mediave.

BE-ja ripërsërit se në shtetet demokratike, liria e shprehjes duhet të përfshijë idetë që mund të ofendojnë, tronditin ose trazojnë shtetin apo çfarëdo pjese te popullsisë, duke përfshirë ideologjitë, fenë si dhe satirën. Sidoqoftë, nuk përfshin nxitjen publike të dhunës dhe urrejtjes.

Teknologjitë informative dhe komunikuese (TIK) tanimë janë pjesë e jetës së përditshme dhe sigurojnë mundësi të reja për përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe për zhvillim shoqëror dhe ekonomik. Qasja jodiskriminuese tek informacionet dhe lirinë e shprehjes duhet të sigurohet dhe mbrohet për të gjithë individët, si online ashtu edhe offline. Interneti duhet të mbesë një rrjet i vetëm, i pandarë, që i nënshtrohet ligjeve të njëjta dhe normave të aplikueshme në fusha të tjera në jetën tonë të përditshme ku individët mund të përfitojnë nga të drejtat e tyre dhe kompensimet gjyqësore kur këto të drejta shkelen. Këto parime janë njohur nga Konkluzionet e Këshillit të BE-së mbi Qeverisjen e Internetit të 27 nëntorit 2015 dhe Konkluzionet e Këshillit për Diplomacinë Kibernetike të 11 shkurtit 2015.

BE-ja është edhe më tej e përkushtuar në fuqizimin e përpjekjeve ndërkombëtare që nxisin promovimin e lirisë së shprehjes dhe mirëpret mandatin për procedurat e reja të veçanta të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtën e privatësisë.

Pas gati një viti kur Këshilli për Punë të Jashtme miratoi Udhëzimet e BE-së për të Drejtat e Njeriut mbi "lirinë e shprehjes online dhe offline," BE-ja është e vendosur të vazhdojë të shfrytëzojë të gjithë instrumentet e jashtëm të duhur financiarë të BE-së për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e mendimit dhe shprehjes dhe për të mbështetur lirinë e mediave dhe pluralizmin.

Le të lulëzojë Gazetaria!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat