Komuna e Gjilanit subvencionon 583 fermerë me farë misri dhe pleh artificial

Lajme

Komuna e Gjilanit subvencionon 583 fermerë me farë misri dhe pleh artificial

Më: 28 prill 2015 Në ora: 15:29

Komuna e Gjilanit ka subvencionuar sot 583 fermerë me farë misri dhe pleh artificial.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, shefi i Kabinetit, Arbër Ismajli, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani dhe drejtori i Departamentit të Prokurimit, Salih Kqiku.

Nënkryetari Rexhep Kadriu është shprehur se sot po përfitojnë një numër jashtëzakonisht i madh i fermerëve, duke shtuar se asnjë bujk që ka aplikuar nuk është refuzuar.

“Komuna e Gjilanit në krye me Lutfi Hazirin është duke bërë përpjekje maksimale që t’u del në ndihmë bujqve me subvencione. Kësaj radhe jemi duke e shpërndarë farën e misrit dhe plehut artificial. Sot po përfitojnë një numër jashtëzakonisht i madh i fermerëve dhe kjo është një e arritur shumë e madhe e Komunës. Nuk do të ndalemi me kaq, do të vazhdojmë me programe tjera të subvencionimit dhe kjo do t’u ndihmojë në mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Kadriu.

Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se subvencionimi i farës së misrit dhe plehut artificial është bërë brenda afatit optimal.

Ai pohoi se 583 përfituesit e këtyre subvencioneve të Komunës janë fermerët, të cilët, nuk janë të përfshirë në subvencione të Ministrisë së Bujqësisë.

“Mendoj se jemi brenda afatit optimal, anipse temperaturat apo kushtet klimatike kanë qenë të tilla që edhe më tutje mbjellja ka qenë e pasigurt. Do të bëjmë përpjekje që gjatë gjithë kohës t’u dalim në ndihmë bujqve në mënyrë që brenda kësaj javë të përfundohet mbjellja. E mira është se sot bujqit po i furnizojmë me farë jashtëzakonisht cilësore, kryesisht e Institutit të Osjekut”, tha Ramadani.

Vlera e këtij projekti është 33 mijë euro dhe planifikohen të mbillen rreth 2000 hektarë gjithandej territorit të komunës së Gjilanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat