MPJ e Shqipërisë: Deklaratat e MPJ-së ruse – destabilizuese për rajonin

Lajme

MPJ e Shqipërisë: Deklaratat e MPJ-së ruse – destabilizuese për rajonin

Më: 27 prill 2015 Në ora: 17:18

Deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, me të cilat akuzohen Shqipëria dhe Kosova për ngjarjet në Maqedoni janë destabilizuese dhe shantazhuese dhe nuk i shërbejnë klimës konstruktive në rajon.

Ky është mesazhi të cilin Tirana zyrtare ia përcolli Moskës, përmes ambasadorit të Federatës Ruse saj në Shqipëri, Aleksandar Karpushin, i cili është thirrur sot në një takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, transmeton KosovaPress-i.

“MPJ i shprehu Ambasadorit pakënaqësinë e palës shqiptare dhe i kërkoi sqarim lidhur me deklaratat për shtyp të para pak ditëve të MPJ-së ruse.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë i konsideron deklaratat e MPJ-së ruse të papranueshme dhe akuzat ndaj dy shteteve sovrane të Shqipërisë dhe Kosovës për ngjarjet e fundit në Maqedoni, destabilizuese.

Këto deklarata përbejnë një shantazh dhe nuk i shërbejnë aspak klimës konstruktive në rajon e aq më pak parimeve të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, dhe çdo deklaratë shantazhuese e Rusisë do të shihet veç përmes këtij prizmi.

Ambasadorit iu theksua se Federata Ruse duhet të shohë realitetin në sy në Ballkanin Perëndimor, ku pavarësia e Kosovës përben një kontribut të qenësishëm për të ardhmen demokratike dhe stabilitetin rajonal”, njoftoi Ministria e Jashtme shqiptare./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat