Presidenti i 'shtetit' më të vogël në botë: Do të kemi probleme me Kroacinë e Serbinë! (Foto/Video)

Lajme

Presidenti i 'shtetit' më të vogël në botë: Do të kemi probleme me Kroacinë e Serbinë! (Foto/Video)

Më: 26 prill 2015 Në ora: 14:25

Vit Jedliqka dhe Liberlandi vazhdojnë të jenë temë kryesore në mediat e huaja. Presidenti që e shpalli shtetin në shtatë kilometra katrorë, në kufirin midis Serbisë dhe Kroacisë, këtë herë dha një intervistë për CNN. Ndonëse askush nuk po e merr seriozisht, ai nuk e ka ndërmend të ndalet në projektin e tij.

“Unë do ta përshkruaja këtë si një revolucion botëror Ky është vetëm fillimi", tha ai, duke shtuar se “Liberlandi krenohet me lirinë personale dhe ekonomike për të gjithë njerëzit, siç garantohet nga Kushtetuta e cila kufizon pushtetin e politikanëve ".

Sipas tij, 300 mijë njerëz kanë dorëzuar aplikacionet për shtetësinë e Liberlandit, nga të cilat janë miratuar 20.

“Mijëra amerikanë e zviceranë. Gjithashtu, ka shumë arabë të cilët ndihen të shtypur nën regjimet e tyre", tha ai duke shtuar që planifikon të jenë 35 mijë banorë të Liberalndit.

Por, për të kanë ardhur edhe qëndrimet skeptike nga Kroacia e Serbia, për çka ai thotë: “Presim probleme nga Serbia e Kroacia, por presim po ashtu që ligjet ndërkombëtare të aplikohen kundër çfarëdo aksioni kundër nesh, sepse ky është sulm në kombin e pavarur. Asgjë tjetër, pos rezistencës pasive, ne nuk do të ofrojmë. Tash kemi me u koncentrua ndërtimin rrugëve dhe vendbanimeve”.

Ministria e Jashtme e Kroacisë në faqen e saj në Facebook ka shkruar: “Shakatë virtuale, pa marrë parasysh se nganjëherë janë interesante, mbesin ato që janë: shaka virtuale! Ndaj, nuk kemi qëndrim zyrtar”.

E, profesoresha e të drejtës ndërkombëtare, në Fakultetin Juridik në Zagreb, Maja Sershiq, ka thënë: “Bazuar në atë që kam lexuar në shtyp, Liberlandin e kuptoj si shtet në rangun e Republikës së Peshqenicës (emision humoristik kroat, i Zhelko Melnarit, i cili këtë lagje të Zagrebit e shpalli shtet e veten president - v.j.). Sa di unë, ai territor momentalisht është në sovranitetin e Republikës së Kroacisë, e se cili do të jetë pas zgjidhjes së kontestit - marrëveshje mes palëve, vendimit të një gjykate apo arbitrazhit - do të shihet. Edhe nëse Jedliqka apo dikush tjetër zotëron atë pjesë të territorit, ai mbetet nën sovranitetin kroat".

Në anën tjetër, Ministria serbe e Punëve të Jashtme ka dërguar njoftim për shtyp tek CNN duke deklaruar se Liberlandi teorikisht nuk i shkel kufijtë e tyre në Danub dhe se " gjithashtu e vlerës këtë si lëvizje të pavlerë që nuk ka nevojë për t’u komentuar më tej”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat