Banorët e Malinës: Kush na e dërgoi Policinë, Jankullovska apo Ahmeti?

Lajme

Banorët e Malinës: Kush na e dërgoi Policinë, Jankullovska apo Ahmeti?

Më: 26 prill 2015 Në ora: 13:05

"Jemi të rrethuar nga forcat policore. Janë futur nëpër oborret e shtëpive të fshatit. I gjithë fshati është përplot me transporterë policorë, kurse po i vërejmë edhe në malet përreth. Nuk e kemi të qartë a na i dërgoi policët Gordana Jankullovska apo Ali Ahmeti. Këtë duam ta dimë", deklaroi për "Lajm" banorja e këtij fshati, Ganimete Saliu.

Ajo thotë se deri tani nuk janë dëgjuar të shtëna armësh e as shkëmbim zjarri. Mirëpo, frika te banorët është evidente.

"Policët janë të armatosur deri në dhëmbë. Helikopterët fluturojnë pandërprerë. Më së tepërmi po frikohen fëmijët. Mirëpo, frika është prezente edhe te banorët tjerë", shton ajo.

Banorët thonë se intervenimi i Policisë në këtë fshat është i panevojshëm.

"Deri sot gjithçka ka qenë qetë. Nuk ka pasë asnjë lëvizje të dyshimtë. Ne jemi njerëz hallexhinj, që mundohemi të nxjerrim kafshatën e bukës, sepse askujt nuk i intereson për fatin tonë", vazhdon të flasë Ganimetja me zë të dridhur, përderisa dëgjohet zëri i helikopterëve që fluturojnë mbi këtë fshat, në kufirin Maqedoni Kosovë.

Ndryshe, në Karadakun e Shkupit nga orët e para të mëngjesit po zhvillohet një operacion i gjerë i forcave policore maqedonase.

Siç bëjnë të ditur për INA, operacioni i njësiteve të MPB-së ka nisur në fshatrat Malinë dhe Brezë.

Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, as nuk e konfirmoi as nuk e demantoi informacionin lidhur me operacionin që po zhvillohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat