Ndërtimtarët do ta vazhdojnë protestën nëse nuk iu plotësohen kërkesat

Lajme

Ndërtimtarët do ta vazhdojnë protestën nëse nuk iu plotësohen kërkesat

Më: 25 prill 2015 Në ora: 16:41

Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese të Materialeve të Kosovës, ka analizuar protestën e saj të organizuar me 23 prill dhe ka marrë vendim se do të vazhdojë me ngulm të kërkoj plotësimin e tyre, duke përdorur edhe masa tjera ligjore e demokratike.
Kjo shoqatë përmes një komunikate njofton se do t’i vazhdojnë protestat deri në plotësimin e kresave të tyre.

Kjo është komunikata e plotë:

Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese të Materialeve të Kosovës, kërkon pa kushte plotësimin e kërkesave të ngritura edhe gjatë kësaj proteste, e cila erdhi si pasoje e dështimit të shumë angazhimeve për përmirësimin e situatës nga ndërtuesit në Komunën e Prishtinës. Duke qenë se kjo e fundit injoroi në vazhdimësi kërkesat tona, ishim të detyruar të zgjedhim rrugën e protestës. Ne i bëjmë me dije zyrtarëve komunal, se kësisoj do të vazhdojmë dhe nuk do të lodhemi deri në plotësimin e tyre, si kërkesa të drejta, parimore e profesionale.
Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese të Materialeve të Kosovës, pos mosgatishmërisë së zyrtarëve komunal për të ofruar bashkëpunimin e sinqertë, është thellë e brengosur dhe e indinjuar me fjalorin e përdorur nga zyrtarët komunal. Ne kundërshtojmë ofendimet e vazhdueshme që bën nënkryetari i komunës së Prishtinës z. Dardan Sajdiu, duke i etiketuar ndërtuesit si mafi e ndërtimit, siq dihet tash me ,ne radhet e nderrmarrjeve te cilat i'u bashkuan protestes ishin edhe ndermarrjet me serioze te vendit te cilat ne asnje rast te vetem nuk kane bere ndertime pa leje ndertimi.
Ofendimet e këtilla janë papërgjegjshmëri dhe mungesë respekti. Vrazhdësia e tij dhe qasja e tillë arrogante, paraqet në vete, arrogancën e Komunës së Prishtinës karshi kërkesave të ndërtimtarëve dhe vetë nevojave të qytetarëve të Prishtinës. Shoqata dënon gjuhen joinstitucionale të përdorur nga z. Sejdiu dhe është e bindur se kualifikimet që ai bën për ndërtimtarët, nuk e ndihmojnë kapërcimin e problemeve.
Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese të Materialeve të Kosovës, vlerëson se vetë prezenca e një numri aq të madh të pjesëmarrësve në protestë me një karvan të makinerisë të gjatë mbi 9 kilometra, fletë vetvetiu për arsyeshmërinë e seriozitetin e protestës, fatkeqësisht si metodë e fundit që na ka mbet për të realizuar të drejtën tonë për punë.
Kjo protestë dhe angazhimi ynë për zgjidhjen e çështjeve që kanë ngufatë sektorin e ndërtimit dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në një vistër të gjatë zinxhiror të bizneseve punëkryerëse në fushën e ndërtimit, tregon më së miri dëshirën tonë, pikërisht për të kontribuuar dhe vënë rregull edhe më të mirë në këtë segment jetik për qytetarët Prishtinës dhe ndërmarrje të tëra në vend.
Zyrtarët komunal duhet ta kenë të qartë se ata janë periodik në pozitat e tyre, ndërsa ne ndërtuesit do të jemi këtu edhe pasi ata të kenë ikur. Andaj, jemi të bindur, sikur edhe kemi dëshmuar deri më tash, duke u ofruar dhe treguar gatishmëri të plotë për bashkëpunim me Komunën, se as vetë këta zyrtarë nuk janë më të interesuar se ne ndërtuesit, që në Prishtinë të ketë rregull, kushte dhe ndërtim sa më kualitativ.
Ofrimin tonë për bashkëpunim, e dëshmon edhe fakti se kemi dërguar në zyret e drejtorisë së Urbanizmit, një person që të mbështesë çdo iniciativë dhe të jetë pjesë direkte e përmirësimit të ambientit ndërtimor në Prishtinë. E kemi menduar pozitiv dhe vetëm të tillë këtë bashkëpunim, porse zyrtarë të komunës, me paraqitjet e tyre publike, po tregojnë se nuk e kanë vlerësuar njëjtë. Dhe kjo, nëse komuna nuk ndryshon qasje dhe nuk plotëson kërkesat tona, mund të na detyroj dhe neve që të ndryshojmë situatën.
Duam ta bëjnë të qartë, nëse zyrtarët komunal nuk e kanë kuptuar si duhet, se ne aplikojmë për leje ndërtimi, pikërisht sepse nuk duam të punojnë pa leje – pra ne nuk po aplikojmë për të punuar pa leje, por për të punuar me leje!.
Komuna e Prishtinës, nuk ka nevojë ta ndiej vetën të mposhtur duke plotësuar kërkesat e ndërtimtarëve dhe prodhuesve të materialeve ndërtimore, praktikisht punëdhënësve më të mëdhenj të sektorit privat në Prishtinë, sepse plotësimi i kërkesave tona, është jashtëzakonisht me rëndësi për zhvillimin e kryeqendrës, si rrjedhojë edhe e të gjithë vendit.
Ata duhet të ndjehen mirë që me ofrimin për bashkëpunim të dëshmuar tashmë nga Shoqata, të tregoj afinitetin për të ndërtuar mirëfilli kryeqytetin tonë të përbashkët.
Po ashtu ua kujtojmë zyrtarëve të komunës, se kërkesat dhe protesta jonë, nuk kanë të bëjnë asgjë me politikën dhe të tilla devijime, bëhen nga ana e tyre me qëllim për t’i ikur përgjegjësisë, diçka e papranueshme për ne dhe do kundërshtohet edhe me hapa tjerë nga ana jonë.
Kërkesat tona, nuk janë të plotësuara siç pretendojnë zyrtarët komunal. Po të ishin të plotësuara, ne, punëtorët tonë me gjithë makineritë e punës, nuk do kishim nevojë të protestonim por do ishim në vendet tona të punës.
Në ditët në vijim, ne presim reflektim të arsyeshëm të zyrtarëve komunal, respektim të ligjit dhe bashkëpunim të meritueshëm me Shoqatën si partnere të sinqertë, në të kundërtën do të vazhdojmë me masa të tjera ligjore e demokratike deri në plotësimin e kërkesave tona legjitime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat