“Punë sa dush po s’po dojnë me punu”

Lajme

“Punë sa dush po s’po dojnë me punu”

Më: 25 prill 2015 Në ora: 16:16

Ndonëse Kosova, për vite me radhë, është ballafaquar me shkallë të lartë të papunësisë dhe atë mbi 30 për qind. Jo të gjithë të papunët në Kosovë janë të interesuar të punojnë, kështu rezulton pasi përfaqësues të disa kompanive në vend, tregojnë se kanë probleme që të gjejnë punëtorë.

Një ndër to është kompania e verarisë “Stone Castle” në Rahovec, e cila për të nëntin vit me radhë ballafaqohet me mungesë të punëtorëve. Përfaqësuesi ligjor i kësaj kompanie, Agron Aliçkaj, thotë se në vazhdimësi janë në kërkim të punëtorëve, por interesimi është shumë i vogël për të punuar në vreshtari. Aliçkaj tregon se konkursi për vende pune të lira në këtë kompaninë është i hapur gjatë tërë vitit. Pagat për vendet e lira të punës që po kërkon kjo kompania, sipas Aliçkajt, janë nga 260 euro deri në mbi 300 euro në muaj, ndërkohë që transporti është i siguruar nga kompania. Sipas Aliçkaj, të rinjtë nuk janë edhe shumë të interesuar të punojnë në bujqësi.“Nëse e shohim strukturën (për kah mosha) e atyre që punojnë në kompaninë tonë, janë të moshës mbi 50 vjeç, kemi shumë pak punëtorë të gjeneratave të reja. Të rinjtë po u ikin këtyre punëve, edhe pse nuk janë punë shumë të rënda. Kur një i moshuar po mund të punojë, pse nuk mund të punojë një i ri?! Por, të rinjtë tanë po dëshirojnë të punojnë vetëm në zyre”, shton ai.

Edhe në “Bursën e punësimit”,një aktivitet që organizon Aleanca Kosovare e Biznesit çdo vit në Kosovë, ishte evidentuar se të rinjtë e papunë, të cilët ishin interesuar për punë, kishin hezituar të punësohen në punë sezonale.Kryetari i kësaj shoqate ekonomike, Agim Shahini, tregon për Radion Evropa e Lirë se gjatë kontakteve që ata kanë me biznese të veprimtarive të ndryshme, vërehet një mosinteresim i të rinjve për të punuar. Shahini thekson se këtë mosinteresim për punë që të rinjtë në Kosovë e kanë, rrjedh edhe nga paratë që familjet në Kosovë marrin nga familjarët e tyre që jetojnë jashtë vendit.“Edhe diaspora këtu, në një masë, e ka bërë krahun e punës në Kosovë të painteresuar për punë, për shkak të dërgesave. Arsyetimet e shumë të papunëve është se ne marrim një shumë të të hollave mujore nga diaspora dhe kjo na mjafton për të jetuar. Nga perspektiva afatgjate kjo është mjaft shqetësuese, se këta të rinj dalëngadalë po e humbin interesimin për punë”, shton Shahini.

Në qendrat e punësimit në mbarë Kosovën janë të regjistruar rreth 300 mijë të papunë. Ndërkohë, çdo vit në tregun e punës në Kosovë hyjnë deri në 25 mijë të rinj të aftë për punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat