Femrat nga Kosova i prijnë prostitucionit në vend

Lajme

Femrat nga Kosova i prijnë prostitucionit në vend

Më: 25 prill 2015 Në ora: 09:12

​Trafikimi me qenie njerëzore për qëllime të prostitucionit thuajse dita ditës po lëshon rrënjë dhe po zgjerohet edhe në vendin tonë. Kjo dukuri devijante dhe e shëmtuar edhe pse është relativisht e re në Kosovë, po merr përmasa shqetësuese dhe alarmante ndërkohë që nuk mungojnë as përpjekjet e organeve përgjegjëse të sigurisë për ta luftuar dhe parandaluar atë.

Nëse i referohemi statistikave nga Policia e Kosovës rezulton se që nga janari e deri në mars të këtij viti ka pasur gjithsej 29 raste të evidentuara për vepra të tilla penale, ndërsa janë arrestuar 57 persona. Shqetësues është edhe fakti se viktimat e identifikuara janë kryesisht të moshës së re, ku gjashtë prej tyre janë nga 14-17 vjeçe dhe një tjetër nga 18- 22 vjeçe, ndërsa pesë nga to janë nga Kosova, një shqiptare dhe një serbe.

Zëdhënësi i Popicisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për KosovaPress se Policia i ka kushtuar një rëndësi të veçantë parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore, si dhe ushtrimit të veprimtarisë së prostitucionit.

“Mund të them që drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore me njësitet e saj në kuadër të drejtorive rajonale ka realizuar disa operacione dhe mund të them në përgjithësi ka hetuar apo ka ngritur kallëzime penale vetëm për periudhën kohore janar- mars 29 raste, raste këto që lidhen kryesisht me trafikim me njerëz, mundësim apo detyrim në prostitucion, marrje me prostitucion apo fshehje e dokumenteve të viktimave e që kryesisht ndërlidhen me rastin e trafikimit me njerëz në këtë rast ushtrimit të veprimtarisë së prostitucionit”, theksoi Kelani.

Ai ka bërë me dije se përveç hetimeve të realizuara, Policia e Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me qytetarët të cilët japin informacione për ushtrimin e veprimtarisë në rajone apo zona të caktuara dhe falë këtij bashkëpunimi kanë arritur që në disa lokacione të zbulojnë vende apo hapësira që janë shfrytëzuar për ushtrim të prostitucionit dhe viktimat që kanë qenë të përfshira në këto raste i kanë adresuar në institucionet relevante për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkaq, avokati Nikë Shala thotë se në bazë të aktgjykimeve që janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme është konstatuar se në disa lokale të natës është ushtruar kjo veprimtari dhe dukuri negative.

Sipas tij, ka disa femra që vijnë nga vende të ndryshme si nga Rumania, Bullgaria, Shqipëria por edhe të tilla nga Kosova që janë të punësuara në lokale të natës si kameriere por që veprimtarinë e ushtrojnë të prostitucionit dhe për shërbimet seksuale që ofrojnë personave të ndryshëm marrin edhe pagesa të ndryshme.

Shala shprehet se në praktikë dhe teori ka një kategori të njerëzve që janë për legalizimin e prostitucionit porse ka edhe të atillë që janë kundër këtij legalizimi.

“ Vet fakti se në qytetet demokratike në shumtën e rasteve kjo dukuri d.m.th prostitucioni është i legalizuar.

Mendoj se edhe te ne duhet të legalizohet sepse me legalizimin e prostitucionit evitohet sëmundja për fat të keq e shekullit Sida sepse ato femra të cilat ofrojnë shërbime seksuale janë nën kontrollin mjekësor, janë nën mbikëqyrje institucionale dhe klientët nuk mund të luajnë me fatin e tyre qoftë me maltretime apo në forma të ndryshme”, tha ai.

Sociologu Shaip Hasani ka thënë se çështja e prostitucionit si dukuri dhe fenomen sot në Kosovë por edhe si proces i gjithmbarshëm nëpër shoqëritë njerëzore është i pandalshëm, por sipas tij, tek ne prostitucioni është bërë një dukuri e pafrenueshme pasi shoqëria e Kosovës po përballet me problematikën e varfërisë, ku një pjesë shumë e madhe individësh dhe femra të reja si dhe kategori tjera i shtyn drejt kësaj dukurie shëmtuese.

“Ne në këtë rast këtu në Kosovë, sidomos vajzat tona të reja të cilat hyjnë me ato ambiciet e përgjithshme të jetës duke menduar për ëndrra, për çështje vetëm e vetëm me arrit qëllime të caktuara i hyjnë kësaj dukurie e cila vërtet pastaj len edhe gjurmë, vepron keq për ardhmërinë e tyre, për jetën e tyre dhe pastaj hyjnë nëpërmes formave të ndryshme të gojëdhënave, kështu që ato mbesin si prototipe ku nesër apo pasnesër nuk shohin gjë tjetër përveç gjendjes së përgjithshme si shoqërore dhe jetësore si pa perspektivë, si çështje për të cilën vërtet kishte me qenë keq për një shoqëri që mëton demokracinë, mëton zhvillimin, etj ”, tha ai.

Më tej, Hasani ka nënvizuar se perëndimi këto gjëra i ka zgjidhur më herët ku shoqëritë civilizuese kësaj çështje i kanë dhënë formën e prerë dhe kësisoj ky legalizim i prostitucionit dhe i kontrolluar është në vija të caktuara dhe si i tillë sot vepron në kushte dhe rrethana të caktuara, Hasani thotë se tek ne prostitucioni brenda për brenda në mënyrë shumë konspirative por edhe të fshehtë zhvillohet dhe pastaj në mënyrë të pakontrolluar rrjedhin edhe pasojat duke filluar nga sëmundjet tashmë bashkëkohore e deri tek pa perspektiva dhe shoqëria bëhet një pasqyrë etike e shëmtuar e proceseve të përditshme shoqërore.

Edhe Hasani mendon se do të ishte mirë që të legalizohej edhe tek ne prostitucioni, pasi siç tha të gjitha proceset të shkojnë mënyrë të legalizuar dhe kontrolluar.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se prostitucioni si krim trans nacional është paraqitur në Kosovë qysh viteve të pas luftës pasi zakonisht kjo ndodh në vendet post konfliktuoze sikurse ka qenë rasti i Kosovës. Ai thotë se në kohën e UNMIK-ut, shumë pak është luftuar prostitucioni.

“ Kosova është pak rast më ndryshe, nga aspektet morale që tek ne kjo nuk është sikur në perëndim apo në një vend tjetër, dhe mendoj se në këtë aspekt duhet të kemi parasysh pak kodin moral pasi tek ne nuk kalon sikur në Hungari apo në shtetet që realisht është një formë edhe legale apo e lejuar”, ka thënë ai

Ibishi thotë se me marrjen e mandatit nga PK-ja, ky krim ka filluar të luftohet në mënyrë të denjë dhe tani është në fazën e çrrënjosjes.

Ibishi shton se përveç detyrave dhe mandatit nga PK-ja është shumë me rëndësi edhe aspekti i bashkëpunimit rajonal policor por edhe atij ndërkombëtar, si në këmbimin e informacionit dhe zënies së këtyre rrjeteve që bëjnë trafikimet e fermave e sidomos atyre të miturave.

Ibishi vlerëson se së fundi ka edhe tendencë që ky lloj krimi ka filluar të zhvillohet dhe nga brenda e jo vetëm në aspektin e krimit trans nacional apo ardhjes së femrave të trafikuara nga jashtë.

Ibishi thotë se disa shtete tashmë e kanë legalizuar prostitucionin siç është rasti i Hungarisë dhe lejohet me ligjet pozitive atje dhe për këtë arsye edhe trajtimi mjekësor është legal dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat