Klosi: Isha me fat që e ndihmova UÇK-në

Lajme

Klosi: Isha me fat që e ndihmova UÇK-në

Më: 25 prill 2015 Në ora: 08:55

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, të cilit i është njohur statusi i veteranit të UÇK-së, ka deklaruar se kontributi i tij gjatë luftës në Kosovë ka qenë shtetëror në kuadër të shërbimit që drejtonte.

Në njëintervistë për “Epokën e re”, Klosi ka thënë se ndihet krenar që ka pasur rastin ta ndihmojë luftën e UÇK-së.

“E quaj veten me fat që kam arritur të rreshtohem krah për krah me çunat që e bënë luftën në Kosovë. Lufta e UÇK-së ishte një luftë e madhe për gjithë kombin shqiptar, sidomos për Kosovën”, ka deklaruar Klosi.

Klosi, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë shef i SHIK-ut të Shqipërisë, u është kundërpërgjigjur edhe akuzave për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish-ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit.

Ai ka mohuar se ka gisht në vrasjen e Krasniqit. Në këtë kontekst, Klosi ka deklaruar se shteti shqiptar nuk ka pasur kurrfarë interesi të vritej Ahmet Krasniqi.

“Qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar nuk kishin asnjë interes të vritej Ahmet Krasniqi. Meqenëse kjo vrasje ndodhi në territorin shqiptar, shteti shqiptar ka përgjegjësi për atë që ndodhi. Është absurde të mendosh se shteti shqiptar e bëri atë gjë. Nuk mund ta bënte këtë gjë dhe pse ta merrte këtë përgjegjësi të kotë. Zoti Krasniqi as nuk i prishte e as nuk i ndreqte punë shtetit shqiptar”, ka thënë Klosi.

Po në këtë intervistë Fatos Klosi ka folur edhe për themelimin e Gjykatës Speciale. Ai ka vlerësuar se më mirë do të ishte që autoritetet e Kosovës ta themelojnë këtë gjykatë.

Klosi ka deklaruar se pretendimet e kësaj gjykate do të jenë të njëjta me të Tribunalit të Hagës. “Pretendimet e Gjykatës Speciale duket se do të jenë të ngjashme sikurse të Gjykatës së Hagës. Ky proces kërkon argumente, kërkon prova dhe jam i sigurt se këto gjëra nuk janë aq të kollajshme. Megjithatë, në një farë mënyre e kam mirëpritur themelimin e kësaj gjykate, jo se shpresoj se do të bëjë ndonjë gjë të madhe, por më në fund do të përmbyllet përfundimisht ky problem”, është shprehur Klosi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat