Agani: Lufta kundër rriqrave mbetet sfidë

Lajme

Agani: Lufta kundër rriqrave mbetet sfidë

Më: 24 prill 2015 Në ora: 21:05

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në konferencën njëditore në nivel të vendit, me temën: “Ethet hemorragjike crime - congo në Kosovë” (EHKK), e quajti sfidë problemin e EHKK, duke potencuar nevojën e angazhimit të mëtutjeshëm të të gjitha institucioneve përgjegjëse vendore për luftimin dhe parandalimin e kësaj të keqe.

Në këtë konferencë që u organizua nga Shoqata e Infektologëve të Kosovës dhe Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë, u konstatua se Malisheva vazhdon të mbetet vatër natyrore e etheve hemorragjike crime - congo.

Maji, qershori dhe korriku, mbeten muajt kur ka më shumë raste, ndërsa sipas të dhënave, në aspektin gjinor, tek meshkujt janë shënuar më shumë raste të prekjes nga EHKK.

Në prezantimin e publikuar “Ecuria e thumbimeve nga rriqrat nga viti 2007-2015 në Komunën e Malishevës”, u tha se në vitin 2013, janë shënuar më së shumti raste të thumbimit, gjithsej 2, 686, prej tyre 17 të infektuar dhe 6 të vdekur.

Nga paslufta, në Malishevë, kanë vdekur 18 persona nga EHKK, prej tyre, 12 meshkuj dhe 6 femra, ndërsa mosha mesatare sillet rreth 35 vjeç.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësues nga ministria e Shëndetësisë, përfaqësuesit përgjegjës komunal, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, dhe rreth 250 pjesëmarrës nga fusha e shëndetësisë, epidemiologjisë dhe fushave tjera që ndërlidhen me ethet hemorragjike crime-congo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat