Mbyllet shërbimi i kardiokirurgjisë

Lajme

Mbyllet shërbimi i kardiokirurgjisë

Më: 24 prill 2015 Në ora: 20:44

Reparti i Kardiokirurgjisë është mbyllur, ndonëse për të, në vitin 2013 Qeveria italiane kishte dhënë 3 milionë euro.

Kosova nuk ka kirurgë që do të kryejnë operime të tilla. Për të kryer operime në zemër, qytetarët duhet t'u drejtohen klinikave private ose atyre jashtë vendit.

Në Kosovë askush nuk mund të kryejë operim në zemër. Kardiokirurgjisë së vetme publike në tërë vendin, e hapur në mars 2013 në QKUK, ka dy muaj që i është vënë dryni. Për më keq, edhe Reparti i Kardiokirurgjisë është shuar, ndonëse për të nga Qeveria italiane ishin dhënë 3 milionë euro.
Të mbetur pa kirurgë që kryejnë operime në zemër, infermieret e këtij reparti janë shpërndarë në klinikat tjera.

Xhemail Sylejmani: “Tani ka mbet vetëm një kardiokirurg i cili nuk mundë të punoi i vetëm sepse i duhen se paku edhe 4 kardiokirurg të tjerë, po të ketë vullnet politik kjo klinikë do të funksionoi sepse infrastruktura është e re dhe e mirë”.

Zyrtarë të Shërbimit Spitalor thonë se janë në bisedime me Ministrinë e Shëndetësisë që të inkurajohen kardiokirurgë vendorë dhe ata të jashtëm për bashkëpunim, mirëpo një gjë e tillë kërkon buxhet shtesë.

Shpend Fazliu – Zëdhënës i SHSKUK -së: “edhe kjo ka implikime buxhetore, funksionalizimi i kësaj fushe kërkon buxhet shtesë dhe për këtë gjë është e njoftua edhe ministri i shëndetësisë sepse ekspertët e huaj kërkojnë një pagesë të mirë, mirëpo mbetemi në pritje se çka do të mund të vendosim”.

Klinika e Kardiokirurgjisë u hap në fillim të vitit të kaluar, mirëpo që nga atëherë u ballafaqua me mungesën e stafit mjekësor. Tani, praktikisht i tërë sistemi shëndetësor publik në vend, ka mbetur pa mjekë që kryejnë operime në zemër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat