Femrat në burg certifikohen për rrobaqepëse dhe frizere

Lajme

Femrat në burg certifikohen për rrobaqepëse dhe frizere

Më: 21 prill 2015 Në ora: 16:34

Sot në Qendrën Korrektuese në Lipjan, janë ndarë certifikata për femrat e dënuara, pas vijimit të trajnimit në rrobaqepësi dhe floktari, projekt ky i mbështetur dhe realizuar nga CARITAS Kosova dhe trajnerët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Gjatë kësaj ceremonie, zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, ka falënderuar akterët e këtij projekti dhe ka theksuar se Ministria e Drejtësisë do të mbështesë edhe projekte të tjera në të ardhmen për riedukimin dhe risocializimin e të burgosurve në këtë Qendër.

“Është e rëndësishme që personat që kanë kryer vepra penale të vuajnë dënimin e paraparë me ligj për këto vepra si masë represive dhe parandaluese për kriminalitet. Por është shumë e rëndësishme që të krijohen parakushte për rikthimin dhe risocializimin e tyre në shoqëri me qëllim të parandalimit dhe mospërsëritjes së veprave jo-ligjore”, ka thënë Çelaj.

Zëvendësministri Çelaj, ka theksuar se Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues, kanë zhvilluar dhe do të vazhdojnë të zhvillojnë politika me qëllim të rehabilitimit dhe risocializimit të personave që gjenden në vuajtje të dënimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, theksoi rëndësinë e këtyre projekteve në realizimin e synimeve të SHKK-së për riintegrim të suksesshëm të këtyre personave në shoqëri.

Edhe drejtori i kësaj Qendre, Heset Loku, ka falënderuar pjesëmarrësit dhe akterët e këtij projekti në ofrimin e këtyre mundësive për banorët e këtij institucioni.

Ndërsa përfaqësuesit e CARITAS Kosova falënderuan Ministrinë e Drejtësisë dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës për përkrahjen e madhe dhe bashkëpunimin e ofruar që ky projekt të jetë sa më i suksesshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat