Shënohet “Java e të Pagjeturve” në Kosovë

Lajme

Shënohet “Java e të Pagjeturve” në Kosovë

Më: 21 prill 2015 Në ora: 12:44

Ka filluar sot në Kosovë, “Java e të Pagjeturve”, ku në kuadër të kësaj jave, nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në Prishtinë është organizuar një tryezë, gjatë së cilës, është diskutuar çështja e të zhdukurve nga koha e luftës së fundit në Kosovë.
Kryeparlamentari Veseli, tha se të zhdukurit vazhdojnë të mbesin një nga plagët më të rënda dhe të pashëruara të shoqërisë sonë.

“Ende, 16 vjet pas luftës çlirimtare, nuk dihet fati i 1.650 qytetarëve tanë. Familjet tona vazhdojnë të jetojnë me ankthin e mungesës dhe enigmës që mbulon fatin e më të dashurve të tyre. Nga kohërat që nuk mbahen mend, në kulturën tonë, një nga porositë më të fuqishme ka qenë amaneti për t’u prehur në vendin e lindjes, në tokën e atdheut. Ne do ta përmbushim këtë amanet”, ka deklaruar Veseli.

Derisa nuk ka lënë pa kritikuar edhe mos gatishmërinë për bashkëpunim nga ana e Qeverisë serbe, në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.

“Qeveritë e ndryshme të Serbisë vazhdimisht kanë vendosur pengesa fatkeqëisht në procesin e gjetjes dhe identifikimit të të zhdukurve. Mungesa e vullnetit të duhur për të ndihmuar këtë proces flet qartë se këto qeveri vazhdojnë të mos distancohen nga qëllimi i fshjes së krimit për të cilën u zhdukën edhe mijëra qytetarë të Kosovës”, ka thënë ai.

Të drejtë humanitare dhe të padiskutueshme, identifikimin e personave të zhdukur e të gjithëve që jetojnë sot në Kosovë, e ka quajtur edhe ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang.

“Ne jemi të vetëdijshëm për hapat pozitiv që janë ndërmarrë në këtë aspekt por akoma mbetet shumë punë për tu bërë dhe shpresoj shumë që në të ardhmen do të rritet shumë numri i identifikimit të personave të pagjetur”, ka deklaruar ajo.

Por, përkushtimin dhe ndihmën e ambasadave nuk e konsideron si të mjaftueshëm, Bajram Qerkinaj, përfaqësuesi i familjeve me persona të zhdukur, i cili është shprehur i indinjuar se ende nuk është bërë sa duhet për ti gjetur ata.

“Ambasadat e kanë për detyrë për të na ndihmuar, kemi qenë edhe te Zhbogari na ka premtuar se do të bëj gjithçka çka është e mundur, por krejt çka ai mundet të bëjë është të zbresë shkallëve me i hyp aeroplanit me shku në Gjenevë edhe me ardhë prej Gjeneve, dhe përgjigja qe e presim nuk na ka ardhur deri sot”, ka thënë Qerkinaj.

“Ju kisha lutur kryeparlamentarit, pas ne familjarët i kuptojmë vështirësitë që i ka Republika e Kosovës, por kuptona edhe ju neve, se as kemi motra, as vëlla, as prindër, as kemi asnjë festë që nuk na derdhen lot, dhe për hatër të karrgive që ju i gëzoni ju kisha lut të mblidhni forcë dhe të bëni të pamundurën për zgjidhjen e fatit të tyre”, ka shtuar ai.

Ndërsa edhe 16 vjet pas luftës së fundit, ende nuk dihet fati i 1.650 qytetarëve, të cilët sot e asaj dite vazhdojnë të mbesin të zhdukur.

Derisa në nderim të tyre këtë javë pritet të shënohen një varg aktivitetesh.
Ku më 27 prill, do të mbahet edhe një seancë parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe do të bëhet zbulimi i përmendores “Atyre që na mungojnë”. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat