​Die Presse: Thaçi tronditi sërish Serbinë

Lajme

​Die Presse: Thaçi tronditi sërish Serbinë

Më: 21 prill 2015 Në ora: 12:13

E përditshmja prestigjioze austriake “Die Presse” ka bërë një analizë për refuzimin e Serbisë për të lejuar shkuarjen e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Hashim Thaçi në Beograd.

Në këtë analizë “Die Presse” thotë se pavarësisht shkuarjes apo mos shkuarjes së “gjarprit” në Beograd, ai ka arritur që edhe njëherë të tronditë Serbinë, ndërsa brenda Kosovës të rikonfirmojë fuqinë e pakontestueshme.

“Nëse Thaçi tani vërtetë do të udhëtojë apo nuk do të udhëtojë për në Beograd: vetëm me deklarimin e vizitës së tij, ish-kryeministri ka vënë veten në shtëpinë e tij edhe një herë si njeriun e fortë të skenës së vendit - dhe e solli në të njëjtën kohë në telashe Serbinë si mikpritës refuzues”, thuhet në këtë analizë.

Gazeta austriake shkruan se tani Serbia, pavarësisht vendimit të refuzimit apo mos refuzimit të vizitës së Thaçit në Beograd, është në pozitë të pafavorshme, sidomos në procesin e vështirë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që po zhvillohen në Bruksel.

“Nëse Beogradi e ndalon vizitën ose lejon ta arrestojë mysafirin e padëshiruar, Serbia edhe një herë qëndron si kryeneçe penguese e paqes në procesin e vështirë të normalizimit. Në qoftë se Serbia lejon vizitën, i ka të garantuara protestat e dhunshme”, thuhet në këtë analizë.

Gazeta shkruan se ndryshe nga Serbia, Kosova ka treguar angazhim për paqe dhe ka garantuar sigurinë e presidentit serb Tomislav Nikoliq dhe kryeministrit Aleksandar Vuçiç gjatë vizitave në Kosovë.

“Die Presse” shkruan se gjyqësori serb kërcënon dhe publiku serb po vlon në Serbi. “Ekzekutuesi nuk ka vend në Beograd!", reagoi me zemërim tabloidi serb "Alo!". "Gjarpri nuk mund të largohet nga provokimet”, e inatosur reagoi edhe gazeta “Blic”. “Thaçi duhet së pari të dëshmojë në gjykatë, se ai nuk ishte i përfshirë në krimet e kryera kundër serbëve. Pastaj, ai mund të vijë në Beograd”. /kp

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat