Rama-Mustafa-Thaçi, mëngjes pune në Bruksel

Lajme

Rama-Mustafa-Thaçi, mëngjes pune në Bruksel

Më: 21 prill 2015 Në ora: 11:30

​Kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Isa Mustafa, bashkë me shefin e diplomacisë dhe zëvendëskryeministër të Kosovës, Hashim Thaçin, kanë pasur sot një mëngjes pune në Bruksel, ku marrin pjesë në Samitin për Ballkanin, organizuar nga Komisioni Evropian.

Në këtë takim, siç njoftuan burime pranë kabinetit të kryeministrit shqiptar, është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin nën udhëheqjen e kancelares gjermane Angela Merkel.

Kryeministri Rama është takuar edhe me Kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq, me të cilin ka diskutuar rreth projektit të autostradës adriatiko-joniane, projekt ky që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Greqinë. Dy kryeministrat kanë diskutuar edhe mbi projekte të përbashkëta në fushën e turizmit, sidomos në zonën e Liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna.

Kryeministri i Shqipërisë është takuar edhe me komisioneren për Politikën e Jashtme të BE-së Federica Mogherini, me të cilën ka diskutuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si dhe për punën e Qeverisë shqiptare dhe reformat e ndërmarra për të përmbushur 5 prioritetet që e afrojnë Shqiperinë edhe më shumë me Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama pritet të takohet gjatë ditës edhe me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrat e tjere te rajonit, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat