​Ferizaj me kamion të ri, por me zjarrfikës pak

Lajme

​Ferizaj me kamion të ri, por me zjarrfikës pak

Më: 20 prill 2015 Në ora: 22:28

Komuna e Ferizajt, në kuadër të një projekti të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka përfituar një autocisternë për shuarjen e zjarrit e cila do të ndikoj dukshëm në rritjen e funksionalitetit të Brigadës së Zjarrfikësve.

Pavarësisht këtij donacioni, komuna e është e vendosur që ta funksionalizojë edhe qendrën e dytë të zjarrfikësve, objekti i së cilës tashmë është gati, por që duhet të plotësohet me personal dhe mekanizëm.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, e ka vlerësuar këtë donacion duke thënë se kështu gradualisht po përmbushën nevojat insfrastrukturore në dobi të funksionalizimit të mëtejmë të Brigadës së Zjarrfikësve.

"Për fat të keq ne akoma nuk e kemi funksionalizuar qendrën numër dy të zjarrfikësve, është një detyrë që na pret dhe sigurisht që do ta angazhohemi gjatë ditëve në vijim. Në takimin e parë që do të kemi me ministrin e punëve të brendshme do ta shtrojmë këtë çështje. Ne, në kuadër të kësaj kemi paraparë në buxhetin e komunë së Ferizajt, 50 mijë euro për funksionalizmin e mëtejmë të kësaj qendre, sigurisht edhe për pajisje me shtretër të tjerë për shkak nevojave të kujdestarisë së zjarrfikësve të cilët qëndrojnë në selinë e tyre", ka thënë Sfarqa.

Për më tepër u tha se kjo është autocisterna e parë me kilometrazhë zero që i është dhënë kësaj brigade, ndërsa kryetari Sfarqa, ka vë në dukje se donacione të tilla në të ardhmen do të ketë edhe nga jashtë, duke përmendur këtu bashkëpunimin që ka nisur me disa kantone të Zvicrës, drejtuesit e të cilave kanë premtuar përkrahje në këtë aspekt.

"Mendoj që përfitimi i këtij donacioni që ka kushtuar 137 mijë euro është një përfitim i mirë, që sigurisht do t'i shtohen edhe kërkesat të cilat po i bëjmë në vazhdimësi edhe në kontakte me donatorët e jashtëm, siç është rasti me qytetin e Lozanës, ku kryetari i këtij qyteti na ka premtuar një donacion prej dy autocisternash, i cili nëse realizohet është më se i nevojshëm por edhe donacionet tjera në mekanizëm për kompaninë e pastrimit", ka thënë Sfarqa.

Në anën tjetër edhe komandanti i BZ-së, Halil Osmani, e ka vlerësuar këtë donacion duke thënë se prej pas luftës është automjeti i parë që ka ardhur direkt prej prodhuesit dhe është i përshtatur mjaft mirë kushteve të rrugëve dhe vendbanimeve tona.

"Me këtë automjet kemi qasje në çdo vend sepse është i përshtatshëm për intervenime të zjarrfikësve", ka thënë Osmani.

Ndryshe, për Ferizajn sfidë mbetet numri i vogël i zjarrfikësve duke ditur se qe dy vite ka përfunduar edhe qendra e dytë e zjarrfikësve e cila është moderne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat