Minoritetet të pakënaqur me marrëveshjen për drejtësi

Lajme

Minoritetet të pakënaqur me marrëveshjen për drejtësi

Më: 20 prill 2015 Në ora: 20:29

Marrëveshja për drejtësinë, e arritur në Bruksel, nuk po u pëlqen minoriteteve në Kosovë.

Komunitetet pakicë, me përjashtim të serbëve, po ndihen të diskriminuar nga kjo ujdi e arritur në shkurt, e cila u pamundëson atyre të jenë pjesë e institucioneve të drejtësisë në veri.

I dyti i Ministrisë së Drejtësisë, Lirak Çelaj, raportoi para komisionit Parlamentar për të drejtat e komuniteteve. Sipas Çelajt, përderisa institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që strukturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pasqyrojnë karakterin shumetnik të Kosovës, përfaqësuesit e komuniteteve rom, ashkali, egjiptas e boshnjak kanë vlerësuar tërësisht të kundërtën. Këtë marrëveshje të arritur në Bruksel, ata e cilësojnë se jokushtetuese dhe e cila sipas tyre shkel ligjet e Republikës së Kosovës.

Lirak Celaj-zv ministër I Drejtësisë: “Me marrëveshjen për drejtësi të arritur më 10 shkurt 2015, fillon edhe integrimi i gjyqtarëve, prokurorëve të komunitetit serb në institucionet e drejtësisë në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Hapi i parë konkret për integrimit ka filluar me shpallen e konkursit për 48 gjyqtarë dhe 15 prokurorë më datën 25 mars që do të jetë i hapur deri 25 maj 2015. Institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që strukturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të pasqyrojnë karakterin shumetnik të Kosovës. Aktualisht në të gjitha nivelet gjyqësore nga gjithsej 312 gjyqtar kemi 6 gjyqtarë serbë, 9 gjyqtarë boshnjakë, 1 turk dhe dy romë”

Veton Berisha- Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane thotë :“Shkelet neni i 3 i Kushtetutës, barazia para ligjit, neni 31 e drejta për gjykim të drejt dhe të pa anshëm. Nëse i akuzuari apo nëse një person i komuniteteve tjera e dinë me vetëdije të plotë se do të gjykohet nga një përfaqësues i cili është selektiv, atëherë vërtetë do të ketë siguri dhe çka na garanton neve që do të ketë gjykim të paanshëm. Po ashtu, shkelet neni 57 dhe 58 i kapitullit 3 i komuniteteve, sepse i përjashton dhe është fati ynë se ka qenë e vetmja marrëveshje që e ka qenë e tillë, mirëpo qysh në fillim të marrëveshjes thuhet në respektimin e kushtetutës dhje ligjeve të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë vërtetë jemi përjashtues në këtë proces. Në anën tjetër, shkelet neni 61 përfaqësimi në institucionet publike, neni 102 parimet e përgjithshëm të drejtësisë, këtu na pamundësohet që e duhet të ndërrojmë identitetin dhe të garojmë edhe nëse jemi profesionist”

E për deputetin e Grupit Parlamentar 6 plus, Qerim Bajrami, është tërësisht i papranueshëm fakti që sipas tij kjo marrëveshje përjashton pakicat e tjera, pos atyre serbë dhe shqiptarë.

Qerim Bajramideputet nga Grupi Parlamentar 6 Plus thotë "Kjo marrëveshje duhet të rishikohet në mënyrë që nga një vend në prokurori e gjykata të rezervohet për komunitetet e tjera joshumicë. Vetëm kjo për ne do të jetë e pranueshme, dhe çdo arsyetim tjetër se nuk ka pasur konkurrentë, dhe se për atë janë pranuar 8 serbë, respektivisht 8 shqiptarë, për ne është e papranueshme. Kjo për një arsye: se vetë marrëveshja ka përçuar mesazh politik që mos të konkurrojnë të tjerët pasi 8 vende janë të rezervuara për shqiptarët dhe 8 për serbët.

Pos që e vlerësuan jo kushtetuese, përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë madje kanë paralajmëruar se do të shikohet mundësia që kjo marrëveshje të dërgohet në Kushtetuese për interpretim, ka thënë Celaj.

E ndërkaq, deputeti i PDK-së, Agim Ceku, siguron ligjvënësit se kjo marrëveshje është në përputhje me Kushtetutën dhe e përkrahur nga gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Padyshim që marrëveshja është një marrëveshje e cila parasheh zbatimin e plotë të legjislacionit të Republikës së Kosovës, funksionimin e një sistemi unik të drejtësisë dhe mu për atë arsye marrëveshja e ka përkrahjen edhe timen edhe të shumicës së qytetarëve të Republikës së Kosovës” ka thënë Agim Ceku-deputet I PDK-së

Përderisa përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë vlerësojnë se një numër i konsiderueshëm i komuniteteve të tyre me përgatitje arsimore kanë mbetur jashtë institucioneve të Kosovës, Çelaj bëri të ditur se shumë konkurse mbetën të paplotësuara në mungesë kuadrosh pikërisht nga radhët e komuniteteve jo shumicë.
Sipas Çelajt, institucionet e drejtësisë mbesin të hapura për këto komunitete dhe se krijimi i kuotave është përcaktuar më qëllim të nxitjes së gjithëpërfshirës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat