“Ata vdiqën si minjtë në kafaz” (Foto)

Lajme

“Ata vdiqën si minjtë në kafaz” (Foto)

Më: 20 prill 2015 Në ora: 10:49

Ndërkohë që bota është shokuar nga lajmi për mbytjen e më shumë se 900 emigrantëve në Mesdhe, detaje shokuese për tragjedinë kanë dalë në dritë.

Qindra emigrantë, mes tyre fëmijë dhe gra të terrorizuara janë mbytura si “minjtë në kafaz”, pasi ishin të kyçur poshtë në barkun e anijes.

Një i mbijetuar ka bërë këtë rrëfim sot. Ai tha se emigrantët ishin në vendin ku mbahen ngarkesat dhe trafikantët i kishin mbyllur në momentin kur anija u mbyt.

“Në bord ishim 950 persona. Kishte 50 fëmijë dhe 200 femra”.

Burri nga Bangladeshi ka shtuar se shumë nga klandestinët ishin mbyllur në nivelet e poshtme të mjetit lundrues dhe nuk lejoheshin të dilnin nga trafikantët.

“U nisëm nga një port rreth 50 kilometra nga Tripoli (Libi). Ata që paguajnë më pak mbyllen poshtë dhe kanë shumë pak hapësirë në dispozicion”, thotë një nga 28 të mbijetuarit.

Ndërkohë, kapiteni i anijes tregtare portugeze që arriti të shpëtonte një numër fare të vogël personash në krahasim me atë që ishin në bordin e peshkarexhës, tregon: “Po shkonim drejt tyre, por në momentin që na panë, nisën të lëviznin shumë dhe mjeti u përmbys”.

Në ato momente, gjithçka merr fund. Ai që ka mundur, është kapur diku. Por, shumica as nuk e ka kuptuar se çfarë ka ndodhur. Kush ishte i mbyllur në nivelet e poshtme të peshkarexhës, vetëm ka dëgjuar zhurmën e dërrasës që thyhet dhe ka parë ujin që hyn ngado.

Deri më tani janë 28 të mbijetuar, ndërsa mendohet se nuk ka të tjerë.

Rojet kufitare italiane kanë sjellë në Maltë 24 viktima për t’u varrosur.

Kjo është një nga tragjeditë më të rënda detare që prej Luftës së Dytë Botërore.

Emigrantët u mbytën kur anija me të cilën ata po udhëtonin u përmbys gjatë natës në brigjet e Libisë.

Anija u përmbys 193 kilometra në jug të ishullit italian të Lampeduzës.

Udhëheqësit evropianë bënë thirrje për masa të menjëhershme për të zgjidhur krizën e imigrantëve, ndërsa mijëra njerëz nga Afrika dhe Lindja e Mesme përpiqen t’i largohen varfërisë, luftës dhe trazirave politike, me barka të tejmbushura dhe të pasigurta, për të kaluar Detin Mesdhe.













Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat