Ka apo jo shërbim 4G në Kosovë?

Lajme

Ka apo jo shërbim 4G në Kosovë?

Më: 19 prill 2015 Në ora: 23:14

Operatorët mobilë kanë leje për shërbimin 3G dhe 4G, por brezi frekuencor nuk u lë mundësi për shërbim të dëshirueshëm.

Vala ka paralajmëruar se në fund të këtij muaji do të fillojë t'i ofrojë shërbimet e internetit 4G. Ipko premton por ende nuk ka ndonjë datë se kur mund të fillojë ta ofrojë këtë shërbim për klientët e vet.

Shërbimi i 3G dhe 4G në Kosovë nuk mund të ofrohet si shërbim cilësor nga asnjë operator mobil për momentin. Kryetari i bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikimeve Elektronike dhe Postare, Ekrem Hoxha, thotë se operatorët mobilë që operojnë në Kosovë, kanë leje për shërbimin e gjeneratës së re 3 dhe 4G, mirëpo brezi frekuencor aktual nuk ju lë mundësi që të keni shërbim të dëshirueshëm.

"Autoriteti duhet të vendosë për resurse frekuencore shtesë, në mënyrë që operatorët këto investime të mëdha që i kanë bërë në teknologji të mund t'i afrojnë më adër konsumatorit, duke e rritur shpejtësinë e internetit, duke e rritur atë përvojën që po quhet pozitive nga komunikimi elektronik", ka theksuar Ekrem Hoxha për RTK-në.

Përfundimi i investimeve do ta vendosë operatorin publik VALA në një pozitë shumë më të mirë krahasuar me atë që është tani. Kështu premtojnë zyrtarët e VALËS.

"Avantazhet e teknologjive të reja si 3G e 4G janë interneti i shpejtë nga 100 deri 150 megabit kur është fjala për teknologjinë 4G si dhe 3G një avantazh në krahasim me teknologjitë e deritashme. Ne kemi punuar me ekipet tona teknike jashtëzakonisht shumë këto muajt e fundit për ta pasur rrjetin mobil 3G dhe 4G më të mirin në tregun e Kosovës ", ka theksuar Valon Zhuniqi, drejtor i VALA­-s.

Alban Kastrati, zëdhënës i IPKO­-s, tregon se ky operator ofron shërbimet 3G dhe 4G në brezin 900 dhe 1800 MGHz. Sipas tij, ky është kapacitet i kufizuar për ta ofruar mundësinë e plotë të teknologjisë në fjalë.

"Në javët në vazhdim ne do të punojmë intesivisht dhe do ta kemi rrjetin 4G të shtrirë në të gjitha qytetet e Kosovës", ka thënë Alban Kastrati, zëdhënës i IPKO­-s.

Zyrtaret e VALËS thonë se tanimë janë në fazën e fundit të përgatitjeve për fillimin e ofrimit të shërbimeve 4G. E në IPKO ende nuk ka një datë të saktë për fillimin e ofrimit të këtij shërbimi. Përfaqësuesit e të dy kompanive flasin edhe për kapacitetet që ofrojnë përmes antenave të vendosura në terren.

Ndryshe, Operatori VALA ka paralajmëruar se më 28 prill do të fillojë të ofrojë shërbimet 4G në tërë territorin e Kosoves, rrjet ky i munguar deri më tash. Operatori tjetër IPKO, ende nuk ka ndonjë datë se kur mund të fillojë të ofrojë këtë shërbim për klientët e vet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat