​Ish punëtorët e fabrikës së tubave nga e marta grevë brenda Qeverisë

Lajme

​Ish punëtorët e fabrikës së tubave nga e marta grevë brenda Qeverisë

Më: 19 prill 2015 Në ora: 16:54

Kanë mbetur vetëm edhe 36 ditë për tu bërë një vit i plotë që ata janë duke mbajtur grevë.

Por, durimit të ish-punëtorëve të fabrikës së Tubave, tanimë i ka ardhur fundi.

Ata kanë paralajmëruar se që nga dita e martë do të marrin masa më të ashpra, duke e zhvendosur vendin e mbajtjes së grevës brenda Qeverisë.

Ky zemërim ka ardhur, pas pritjes së gjatë të tyre, për përmbushjen e kërkesave dhe po ashtu nga kushtet e rënda me të cilat po përballen ata gjatë qëndrimit të tyre në tendë.

Në ditën e 329 të grevës së tyre, 9 grevistët të cilët ende janë duke qëndruar para Qeverisë, thanë për KosovaPress, se ka ndodhur shumë shpesh që ata të sëmurën për shkak se shumë shpesh kanë pasur probleme me energji dhe kanë qëndruar aty brenda në të ftohtë.

Po ashtu, Elmi Mehmeti, njëri nga këta grevistët thotë se shpeshherë ka ndodhur që të hyjë uji brenda kur kishtje reshje të mëdha të shiut.

Mehmeti: Jam sëmurë duke qëndruar këtu

“Për kushtet tona që i kemi këtu katastrofë është. Përshembull kur binte shi, shirat e mëdha kur kanë rënë, vinte shiu e na lagte mbulojat tona. Në ato kushte kemi fjetur këtu dhe unë për veti po e ndijë që jam sëmurë, në tërë shpinën”, tha Mehmeti.

Prandaj, ky mos reagim i Qeverisë i ka lodhur ata.

Ramdan Emini, paralajmëron se ai nuk do të kthehet në shtëpi pa i marrë ato mjete të cilat i takojnë.

E nëqoftëse nuk ndodh një gjë e tillë, sipas tij, mund të ndodh edhe më e keqja.

Ai tha se nga e marta do të hyjnë brenda deri në realizimin e kërkesave.

Emini: Do të marrim masa më të ashpra

“Mos të mundohet të na thotë po ju jap fjalë e shkoni te shpija. Jo unë te shpija nuk kam për çfarë të shkoj. Se mu krejt nipave e mbesave nuk po kam si t’ju tregoj a po na jep, apo nuk po na jep paratë. (Citon mbesën e tij:Gjysh a po ja u japin??). Le të kujtohen fortë mirë. Se mas sotit tjera masa do të marrim. Por të mos ndodh ajo më e keqja se unë për te shpija s’kam çfarë të lypi. Një vit me qëndrua unë këtu e të shkoj në shtëpi duar thatë? Jo valla, këtë le ta din kryeministri shumë mirë. Që nga pasnesër në derë na ka prej orës 8 deri në orën 4, jo një ditë por për ditë qaty kam për të qëndruar”, tha Emini.

Sipas tyre, ata janë munduar që në mënyrë institucionale të bëjnë zgjidhjen e kësaj çështje, por, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese se ato mjete ju takojnë këtyre punëtorëve, qeveritarët i kanë injoruar plotësisht.

Sipas kryetarit të këshillit grevist, Njazi Asllani, Qeveria duke i shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese po i detyron ata të dalin nga takti.

Asllani: Qeveria po na detyron të marrim masa tjera

Min 18’.“Këta mundohen të na qesin prej taktit dhe ne të sillemi në mënyrë arrogante edhe ndoshta të përdorim metoda që nuk janë të lejuara as me ligjin për greva, as për ligjin për protesta, e ato vet po na detyron Qeveria. Qeveria praktikisht po na detyron që nuk i kryen detyrimet ligjore sipas nenit 116 të kushtetues ku është obligative që Qeveria, Kuvendi dhe të gjitha institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës ta zbatojnë gjykimet e gjykatës kushtetuese. Bile nuk guxojnë as t’i komentojnë. E këta i komentojnë, i zhvlerësojnë, e thonë nuk janë të vlefshme, e çka nuk thuhet për ato vendime të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse 9 gjykatës njëzërit e kanë miratuar kërkesën tonë”, tha Asllani.

Ata po ashtu, thanë se Qeveria pa arsye po e vonon emërimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të bordit të AKP-se, e cila ka për detyrë të ua kompensoj pagat e kohës kur regjimi i Millosheviqit i largoi nga puna.

Këto paga arrijnë vlerën 25 milionë e 649 mijë e 250 euro./J.Gjinovci/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat