Në Ferizaj, po përfundojnë katër shtëpi për nevojtarët

Lajme

Në Ferizaj, po përfundojnë katër shtëpi për nevojtarët

Më: 19 prill 2015 Në ora: 15:23

Shoqata "Feniks" nga Ferizaj edhe këtë vit e ka nisur mbarë. Ajo vazhdon t'u dalë në ndihmë familjeve nevojtare që përballen me problemin e strehës, ndërsa në proces të ndërtimit kanë shtëpinë e katërt për këtë vit, e cila po realizohet falë mbështetjes së pakursyer të donatorëve e njerëzve të vullnetit të mirë.

Kryetari i shoqatës, Milaim Jashari ka thënë se edhe këtë vit projektet do të bashkëfinancohen me kryefamiljarët, të cilët duhet të sigurojnë gjysmën e mjeteve, ndërsa gjysmën tjetër do ta sigurojë shoqata, dhe kështu do të ketë më shumë shtëpi të ndërtuara dhe zbutje të këtij problemi mjaft të rëndë.

"Kryefamiljarët po sigurojnë gjysmën e mjeteve, ndërsa pjesën tjetër ne. U jam mirënjohës gjithë atyre që po ndihmojnë të afërmit, sikundër edhe donatorëve tanë dhe njerëzve vullnetmirë", ka thënë Jashari, ndërsa ka shtuar se këta bamirës kanë kuptuar me kohë seriozitetin e shoqatës, e cila çdo centë të dhuruar e investon aty ku duhet, në këto projekte kësodore humanitare.

Shtëpia e katërt ka filluar ditë më parë të ndërtohet në lagjen "Arsim Bega" të Ferizajt, ndërsa kryefamiljari Bajram Paloja ka thënë se u është mirënjohës gjithë atyre që po kontribuojnë në ndërtimin e shtëpisë së tij. Ai tha se kishte bërë jetë në një shtëpi të vjetër dhe në kushte të rënda, por kohë më parë kishte pësuar një aksident të rëndë dhe gjasat për t'u bërë me strehë ishin shuar.

"Kam marrë vesh nga një mik se shoqata, ndihmon me 50 për qind për ndërtimin e shtëpisë, ndërsa anëtarët e familjes kanë siguruar pjesën tjetër prej 50 për qind të mjeteve dhe kështu ka filluar ndërtimi. Kam pësuar aksident dhe për shkak të tij sot nuk mund të punoj. Unë falënderoj shoqatën dhe Xha Lumin për ndihmën që më kë ofruar për të më bërë me shtëpi", ka theksuar Paloja.

Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës, Milaim Jashari ka thënë se gjithçka filloi nga iniciativa e shokëve dhe të afërmve të tij, të cilët kanë siguruar shumën e paraparë dhe ka nisur puna.

“I ka siguruar 7 500 euro dhe i ka deponuar në shoqatën tonë dhe shoqata me donatorët e vet, do të sigurojë pjesën tjetër të mjeteve", ka thënë Jashari.

Drejtues të shoqatës kanë thënë se nuk do të ndalen me kaq, duke qenë gjithmonë të gatshëm për të zgjidhur rastet e shumta të familjeve të pastreha.

Që prej fillimit të funksionimit të shoqatës para shtatë vjetësh, janë bërë me strehë 162 familje nga Ferizaj dhe trevat tjera të Kosovës, anëtarë të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe familje skamnore./KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat