Ende nuk gjendet Sead Alushi

Lajme

Ende nuk gjendet Sead Alushi

Më: 18 prill 2015 Në ora: 18:02

Edhe të shtunën, në ora 15:00, në takimin e radhës të Shtabit emergjent për kërkimin e të riut Sead Alushi, nga Suhadolli i Mitrovicës, nuk është thënë asgjë e re, përveç asaj se kërkimet po bëhen, por se Seadi, as i gjallë e as i vdekur, nuk po gjendet.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ishte në takimin e orës 15:00, në fshatin Lisicë, mu aty ku bashkohen Ibri e Sitnica, ku është vendosur Shtabi emergjent në të cilin marrin pjesë edhe përfaqësuesi i komunës në veri të Mitrovicës dhe përfaqësuesit e FSK-së, KFOR-it, Policisë së Kosovës, EULEX-it, zjarrfikësve etj.

“Ata ende nuk kanë hasur në të dhe ende nuk ka asnjë gjurmë që do të jepte shpresë se ai do të gjendet. Zhytësit janë duke e kërkuar atë me katër barka dhe deri tash kanë hulumtuar brenda në ujë, në gjatësi prej disa kilometrash, por pa sukses”, tha ai.

Bahtiri tha se kërkimet do të vazhdojnë edhe më tutje, madje me intensitet të shtuar.

Sead Ismet Alushi, i lindur më 10 shtator 1998 në Suhadoll të Mitrovicës, u zhduk të premten, më 10 prill 2015, rreth orës 15:00, në një ngjarje ende të pandriçuar mirë, në pjesën veriore të Mitrovicës, afër një objekti prodhues të pronarit serb, buzë lumit Ibër, ku dyshohet se kishte shkuar për të marrë një qen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat