SBASHK-u i pakënaqur me ofertën e Qeverisë: Nga e hëna në grevë

Lajme

SBASHK-u i pakënaqur me ofertën e Qeverisë: Nga e hëna në grevë

Më: 18 prill 2015 Në ora: 08:51

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) nuk ka hequr dorë nga greva e përgjithshme e mësimdhënësve dhe ajo do të fillojë më 20 prill.

“Qeveria e Kosovës edhe në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme nuk ka ofruar asgjë konkrete lidhur me çështjen e implementimit të 0.5 % për çdo vit shërbimi për të punësuarit në arsimin e Kosovës dhe as për kërkesat tjera nga Kontrata Kolektive të nënshkruar tani e sa kohë mes MASHT-it dhe SBASHK-ut”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.

“SBASHK-u ka analizuar tekstin e dalë nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe ka vlerësuar se në atë tekst , që quhet Propozim-vendim , nuk ka asgjë konkrete sepse nuk është thënë asgjë me afate lidhur me implementimin e kërkesave të SBASHK-ut, që tani më janë të njohura për gjithë opinionin në Kosovë”.

Më tej thuhet se kryesia ka autorizuar kryetarët e niveleve komunale të SBASHK-ut dhe atë të SUSHK-ut që të debatojnë me anëtarësinë dhe nesër (të dielën) ta konfirmojnë edhe një herë mendimin e mësimdhënësve në takimin e jashtëzakonshëm të Këshillit Drejtues.

“Kërkojmë nga gjithë anëtarësia e SBASHK-ut që të vazhdojnë të jenë unik dhe të mbështesin qëndrimet tona të përbashkëta në mbrojtje të kërkesave legjitime dhe dinjitetit të të punësuarve në arsimin e Kosovës. Zëri i anëtarësisë është dhe mbetet obligim për Kryesinë e SBASHK-ut. Pra, me grevën e përgjithshme ta tregojmë unitetin dhe vendosmërinë në mbrojtje të dinjitetit dhe kërkesave tona. Në angazhimet tona e kemi edhe mbështetjen dhe përkrahjen morale edhe nga sindikatat simotra kudo në Evropë, nga Edukimi Internacional dhe nga Sindikata e mësimdhënësve të SHBA”.

“Qeverisë i drejtohemi me apelin që të veprojë konkretisht e jo duke u munduar të gjejë forma e mënyra se gjoja është duke u përpjekur për të realizuar kërkesat tona, me të vetmin qëllim për të fituar kohë e për të mos realizuar asgjë. SBASHK-u i ka dhënë mjaft hapësirë dialogut dhe tani do kërkon veprime konkrete dhe të dokumentuara. Kujtojmë Qeverinë se deri atëherë greva do të vazhdojë dhe se ditët e humbura të mësimit nuk do të kompensohen”, përfundon kumtesa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat