Gati drafti final i projektrregullores për procesin e njohjes të viktimave të dhunimit

Lajme

Gati drafti final i projektrregullores për procesin e njohjes të viktimave të dhunimit

Më: 17 prill 2015 Në ora: 19:35

Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës zhvilloi takimin për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që udhëhiqet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në bashkëpunim me Zyrën Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe UNWOMEN, nga data 15 deri me 17 prill 2015 ka mbajtur punëtorinë tre ditore të Grupit Punues Qeveritar për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Këto akte dalin si obligim i përcaktuar nga Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre. Kjo punëtori u mundësua nga UNWOMEN.

Pjesëmarrës në punëtori, ishin anëtarët e Grupit Punues Qeveritar, përfaqësues të Zyrës së Presidentes dhe të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, si dhe përfaqësues të organizatave jo qeveritare të cilat ofrojnë shërbime profesionale për këtë kategori të viktimave civile të luftës si dhe përfaqësues nga institucionet ndërkombëtare.

Gjatë kësaj punëtorie u përgatit drafti final i projektrregullores për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës si dhe formularët për aplikim të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Me këtë rregullore do të mundësohet që të funksionalizohet procesi i njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

U theksua nevoja që ky proces të vazhdojë me konsultime me të gjera publike në mënyrë që procesi i zbatimit të jetë më i afërt dhe të përgatiten udhëzuesit e nevojshëm në mënyrë që procesi i aplikimit dhe zbatimit të jetë sa më dinjitoz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat