Jahjaga: Votojeni Gjykatën Speciale

Lajme

Jahjaga: Votojeni Gjykatën Speciale

Më: 17 prill 2015 Në ora: 18:44

Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave kushtetuese ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare për hapat e deritashëm të ndërmarrë në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale dhe domosdoshmërinë e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës.

Ajo ka njoftuar shefat e grupeve parlamentare të partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për nevojën e përmbylljes së këtij kapitulli të rëndë për Kosovën që do të merret me akuzat për krime të pretenduara të individëve dhe jo më pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Jahjaga në përfundim të takimeve me shefat e grupeve parlamentare dha edhe një deklaratë për media.

Deklarata e plotë e Jahjagës:

Takimet tani që i pata me të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës ishte që thjeshtë ta përmbush obligimin tim kushtetues dhe ligjor, që të jem faktor i unitetit institucional përbrenda të gjitha institucioneve të vendit, për t’i njoftuar lidhur me të gjithë procesin që kemi kaluar deri më tash sa i përket përmbushjes së një obligimi ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet. Ju e dini shumë mirë se Kuvendi i Kosovës tanimë e ka miratuar me 2/3 të votave të legjislacionit të kaluar për miratimin dhe themelimin e Gjykatës Speciale dhe letërkëmbimin në mes të Presidentit të vendit dhe përfaqësueses speciale të BE-së dhe alternativën të cilën tani e kemi përpara është alternativa më e mirë për qytetarët e Kosovës, për institucionet e Republikës së Kosovës.

Unë e kam thënë disa herë dhe e ritheksoj edhe herave të ardhshme se kjo nuk e vendos në pikëpyetje luftën e lavdishme të UCK-së, por është një proces që ka të bëjë me individë të caktuar dhe ne kemi thënë se ne si shtet, por është edhe parim kushtetues i Kosovës se jemi të përcaktuar për drejtësinë ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duhet t’i përmbahemi këtij parimi dhe ne duhet ta përmbushim këtë obligim. Alternativa tjetër e cila është përcaktuar për Kosovën, unë them se është alternativë shumë e rrezikshme për Kosovën që të kalohet në Këshillin e Sigurimit dhe unë besoj se të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesit e popullit të Kosovës, që janë deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta gjejnë kurajën dhe guximin që të mos shkojnë asaj rruge, por ta përmbushin atë obligim ndërkombëtar që ne e kemi marrë si shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat