Pas luftës në Malishevë nga ethet hemarrogjike kanë vdekur 18 persona

Lajme

Pas luftës në Malishevë nga ethet hemarrogjike kanë vdekur 18 persona

Më: 17 prill 2015 Në ora: 17:29

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, sot në Malishevë, është organizuar një tribunë profesionale me temën “Ethet hemorragjike krime kongo (EHKK) dhe masat parandaluese”, ku u prezantuan rreziqet që shkakton virusi i etheve hemorragjike krime kongo dhe masat që marrin institucionet përgjegjëse.

Në këtë temë, prezantime e tyre i bënë, drejtoresha Institutit Rajonal të Shëndetit Publik (IRSHP) në Prizren, znj.Nurishahe Hulaj, z.Shaban Gollopeni nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK) dhe z.Besim Zogaj, drejtor i QKMF-së në Malishevë.

Fillimisht kryetari i Malishevës, z.Ragip Begaj, adresoi kritikë për Këshillin Ndërministror për këtë vit, pasi ende nuk është aktiv, por kërkoi angazhimin e të gjithë faktorëve “për ta mposhtur këtë të keqe”.

Nurishahe Hulaj, nga IRSHP-ja, paraqiti disa të dhëna, sipas të cilave nga paslufta në Malishevë kanë vdekur 18 persona nga EHKK, apo marr në përqindje në nivel vendi janë 51 për qind. Ndërsa kategoria më e prekur nga thumbimet e rriqrave janë fëmijët. Më pas duke folur për format e infektimit me EHKK, sipas drejtoreshës Hulaj, ky virus bartet nga rriqrat, nga minjtë dhe nga urithi. “Kontrollimi i shpeshtë i trupit, kositja e barit, dezinsektimi i stallave, veshja e duhur gjatë punëve të përditshme janë disa nga masat dhe format e vetëkujdesit.

Shaban Gollopeni nga AVUK-i, tha se “ciklin e zhvillimit të rriqrave e ndihmojnë shumë edhe kafshët, dhe për këtë arsye agjencioni po bën repelimin e kafshëve, me qëllim të përpjekjes për parandalimin e zhvillimit të ciklit”. Gollopeni, foli për masat që AVUK është duke ndërmarrë në kuadër të zbatimit të strategjisë për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

NdërsaBesim Zogaj nga QKMF e Malishevës foli për angazhimet e QKMF-së në trajtimin e pacientëve, analizat në laborator dhe për fushatat informuese për vetëdijesim, drejtori i Drejtorisë Komunale për Shëndetësi, z.Hajdin Berisha, foli për masat që ka ndërmarrë komuna gjatë vitit të kaluar dhe për masat që janë duke marrë gjatë këtij viti.

Në vitin 2014 në Komunën e Malishevës ishin të paraqitura katër raste me EHKK, kurse këtë vit ende nuk ka raste të regjistruara me EHKK, edhe pse numri i të thumbuarve nga rriqrat gjatë këtij viti sillet në rreth tridhjetë raste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat