​VV-Klinë: Komuna nuk ndan bursa, shpenzon për dreka e darka

Lajme

​VV-Klinë: Komuna nuk ndan bursa, shpenzon për dreka e darka

Më: 2 prill 2015 Në ora: 10:53

Komuna e Klinës, tash e 16 vjet, asnjëherë nuk ka ndarë bursa për studentët e kësaj komune, përderisa shpenzimet për dreka dhe darka, derivate e telefon, po vazhdojnë të rriten, thuhet në komunikatën e sotme të degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë.

“Duke e ditur se Klina ka studentë shumë të suksesshëm nëpër universitete, është e papranueshme për ne si Vetëvendosje që të vazhdohet me këtë logjikë, ngaqë e dimë se buxhet ka, por mungon vullneti i ekzekutivit për ta ndarë për këto çështje. Keqpërdorimi i parave publike duhet të ndalet njëherë e përgjithmonë, dhe ndarja e buxhetit duhet të bëhet sipas nevojave të qytetarëve, e jo sipas qejfeve të pushtetarëve për rritjen e luksit të tyre dhe të militantëve partiakë e familjarëve”, thuhet në njoftim.

Qendra e Lëvizjes në Klinë njofton se e ka ngritur shqetësimin e vet për këtë problem edhe në Kuvendin Komunal dhe i bën thirrje qeverisë lokale që menjëherë të ndërmarrë masa për zgjidhjen e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat