Të zhdukurit e Rrezallës kthehen pas 16 vitesh

Lajme

Të zhdukurit e Rrezallës kthehen pas 16 vitesh

Më: 2 prill 2015 Në ora: 09:32

​(E plotësuar) Përparim Uka në vitin 1999 ishte vetëm 16 vjeçar. Forcat paramilitare serbe e rrëmbyen atë nga duart e nënës së tij, për ta vrarë e më pas edhe zhdukur trupin e tij të pajetë. Vite më parë nëna e tij vdiq, pa e ditur se ku gjendet trupi i pajetë i djalit të saj.

Përparim Uka në vitin 1999 ishte vetëm 16 vjeçar. Forcat paramilitare serbe e rrëmbyen atë nga duart e nënës së tij, për ta vrarë e më pas edhe zhdukur trupin e tij të pajetë. Vite më parë nëna e tij vdiq, pa e ditur se ku gjendet trupi i pajetë i djalit të saj.

E tani, pas 16 vitesh, motra e tij e gjallë, Bedria gjeti eshnat e tij dhe babës. Tani, ajo do të dijë për varrin e tyre, ku do të mund të shkojë sa herë që ka nevojë. Deri tani e kishte të pamundur pasi që nuk dihej gjë për trupat e tyre të pajetë. Baba i saj, Ukë Hoti dhe vëllau Përparim Hoti ishin të zhdukur që nga vitit 1999. Trupat e tyre të pajetë u gjenden në Rudnicë të Rashkës, ku 28 prej të gjeturve në atë lokacion, që shumica vijnë nga Rezalla e Skenderajt, iu dorëzuan sot familjarëve të tyre.

Bedrie Hoti që pranoi sot trupin e pajetë të babës dhe djalit, rrëfen për dhimbjen që ndjen për humbjen e babës dhe vëllait të saj.

Hoti: Nëna nuk ka pas shpresë që do t’i gjejmë

“Nuk di çka të them, shpresa nuk na ka humb kurrë, nuk di ç ka me thënë, edhe jo ndoshta nuk kemi shpresu, se shumë qashtu që kenë në luftë që shku. Nëna më ka vdek me zhig tyne se ja kanë marrë djalin prej dore. Ajo nuk ka mund të qëndroj, ajo nuk ka shpresuar kurrë. Ishalla e kalojmë këtë, e bëjmë varrimin e tyre se boll që 16 vjet ka kaluar kohë e gjatë", thotë Bedrie Hoti.

Ata vijnë nga fshati Morinë por që vdekja i kishte gjetur në Rezallë. E edhe varrimi i tyre do të bëhet aty ku edhe humbën jetën.

Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë, kryesisht burra e djem të rinj. Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë.

“Kjo ka qenë një dhimbje e përhershme, përveç që e kemi ditë që i kanë ekzekutuar, I kanë vrarë, dhimbja ka qenë e vazhdueshme. Mirëpo sot është një lehtësim për arsye se së paku e dijmë që eshnat e tyre po kthehen në vendin e vet, për çka edhe e kanë dhënë jetën”, thotë Muhamet Rukolli.

Ai pranoi sot eshnat e babës së tij të vrarë 16 vite më parë.

Muhameti thotë se veç i kishte humbur shpresat.

“Për një kohë, pothuajse janë pasë shuar shpresat, meqenëse 16 vite kanë kaluar, pas shumë përpjekjeve, sensibilimi që jemi munduar me ba, më në fund u arrit që të identifikohen ata trupa”, thotë ai.

Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore u bë sot dorëzimi i 28 rasteve nga Komuna e Skenderajt, të gjetura në Rudnicë të Rashkës.

Drejtori, Arsim Gërxhaliu thotë se javën e ardhshme do të bëhet edhe dorëzimi i disa të tjerave që i përkasin Komunës së Drenasit.

“Këto raste janë raste të identifikuara nga Rashka, puna më së një vjet në Rashkë. Zgjatja e kohës së identifikimit është se kemi pritur të gjitha analizat e ADN-së për tu bashkuar pjesët, ju e dini fare mirë se kanë2 qenë të shkapërderdhura në terrene, në ekskavator e janë lëvizur dy apo tre herë gjatë tërë kohës. 28 raste do t’i dorëzojmë Komunës së Skenderajt dhe raste tjera do t’i dorëzojmë javën e ardhshme Komunës së Drenasit. Karakteristikë është se 53 raste të gjetura në Rudnicë, 52 janë të identifikuar me familjarët, kurse një rast nuk është identifikuar dhe shtrohet pyetja se bëhet fjalë për një mashkull të moshës së shtyrë, i cili ka mund të jetë një mysafir apo kalimtarë rasti që e kanë strehuar banorët”, thotë ai.

Gërxhaliu kërkoi nga familjarët t’ iu ndihmojnë, pra ata që mbajnë mend të kenë strehuar dikë në shtëpinë e tyre, të lajmërohen.

Prej këtyre rasteve që u dorëzuan sot, 9 trupa janë me më pak përmbajtje të pjesëve kockore, kurse pjesa tjetër janë më të kompletuar.

E Tarja Formisto nga EULEX-i, thotë se ACMP do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Kosovë dhe do t’i përkrahin siç kanë bërë deri tani. Ndërsa, e pyetur se a duhet bërë më shumë për presionin Serbisë, lidhur me hapjen e lokacioneve tjera të dyshuara, ajo tha se është çështje politike, mes Kosovës dhe Serbisë.

“ Diskutimet tona më të fundit më Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, komisioni e ka mohuar lajmin se ata do të largohen nga Kosova, prandaj do të na përkrahin siç kanë bërë më parë. Dhe përderisa ne, si EULEX jemi këtu do t’i mbështesim personelin tonë lokal këtu....Me duhet të them se është një çështje politike dhe duhet të jetë e atij niveli, prandaj kjo mbetët ndërmjet juve dhe Serbisë.

Në njoftimin që iu bë familjarëve për 28 raste nga Komuna e Skenderajt, sot, Gërxhaliu tha se ky nuk do të jetë përfundimi i punës, pasi që siç tha ai, në disa nga grupacionet e zhdukura në këtë trevë mungojnë ende njerëz. Ai tha se do të vazhdojnë t’i kërkojnë edhe më tutje. Lokacionet e radhës, në të cilat pritet të gërmohet, janë mes Rashkës dhe Novi Pazarit
Dorëzohen 28 mbetje mortore të Rezallës

Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, do të bëjë dorëzimin dhe njoftimin e familjarëve për 28 rastet e Skenderajt, konkretisht të fshatit Rezallë, të identifikuara dhe gjetura në Rudnicë të Rashkës së Serbisë.

Forcat policore, ushtarake dhe paramilitare serbe gjatë luftës kanë ekzekutuar në fshatin Rezallë, 98 shqiptarë, banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur.

Kurse, të dielën në fshatin Rezallë dhe Komunës së Skenderajt bëhen homazhe dhe ceremonia e rivarrimit, e cila do të fillojë nga ora 12:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat