Tahiri: Mungesa e Ushtrisë në veri, legjitimon një sistem të veçantë të mbrojtjes dhe sigurisë

Lajme

Tahiri: Mungesa e Ushtrisë në veri, legjitimon një sistem të veçantë të mbrojtjes dhe sigurisë

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 1 prill 2015 Në ora: 15:39

Analisti politik, Mentor Tahiri, thotë se pika më e ndjeshme e procesit të krijimit të Forcave të Armatosura, është pikërisht sigurimi i votave të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ngërthen brenda sajë mekanizma që imponojnë edhe vendimin e komuniteteve tjera dhe jo thjeshtë vetëm mendimin e tyre deklarativ.

“Pra Kosova nuk ka karakterin e një shteti multietnik vetëm deklarativisht, por kjo është thellë e sanksionuar me kushtetutë dhe sistemin politik që kjo kushtetutë e prodhon në jetën e përditshme politike në Republikë”, thotë Tahiri për gazetën “Bota sot”.

Për transformimin nga FSK-ja në FAK, sipas Tahirit, kërkohet votimi i ligjit në Kuvend, respektivisht ndryshim i emërtimit të kapitullit 10 dhe nenit 126.

“Kapitulli 10 i kushtetutës duhet të riemërohet nga emërtimi i tanishëm “Sektori i sigurisë”, në “Sektori i mbrojtjes dhe sigurisë”; ndërsa neni 126 duhet të ndryshohet në tërësi”, shton ai.

Pasi që këto ndryshime hynë në kategorinë e ndryshimeve kushtetuese, atëherë Tahiri thotë se në aspektet praktike për votimin e këtyre ndryshimeve, në kuadër të së paku 2/3 të votave të nevojshme, duhet të jenë së paku 14 vota të deputetëve që vijnë nga partitë e komuniteteve.

“Në një skenar të mundshëm ku do të votonin të gjithë komunitetet joserbe, është pra e nevojshme të jenë së paku edhe 4 vota të deputetëve nga komuniteti serb, kurse aktualisht në Kuvend ka një shpërndarje të tillë të ulëseve ku vetëm një prej deputetëve serb nuk i takon Listës Serbe”, thekson ai.

Një votim i tillë, Tahiri thotë se është i mundshëm, por kjo ndodh vetëm me kompromis politik.

“Qysh tani, po flitet se Ushtria e Kosovës nuk do të sistemohet në veri të vendit. Kjo nuk është lojë, por një proces që mund vërtetë të kushtojë në të ardhmen. Në njëfarë mënyre, me mungesën e Ushtrisë së ardhshme në veri, po legjitimohet një sistem i veçantë i mbrojtjes dhe sigurisë në këtë pjesë të Kosovës. Kurse, sa i përket sistemit politik, në veri aktualisht qeverisin katër kryetarë komunash që deri më tani me asnjë gjest të vetmin nuk kanë treguar se janë pjesë e sistemit politik të Kosovës”, thotë Tahiri.

Ndërsa, sa i përket vonesës së deritanishme të ligjit, ai thotë se këtu ka dy arsye.

“Njëri është bashkërenditja me faktorin ndërkombëtarë, për nevoja të ardhshme të integrimit të FAK në struktura të mbrojtjes kolektive të Atlantikut Perëndimorë. Kurse arsyeja tjetër më shumë qëndron në faktin se në mënyrë të përgjegjshme pritet edhe momentin i volitshëm politik”, thotë analisti politik Mentor Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat